22:29 / E Mërkurë, 21 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Ish-ambasadori i Holandës: BE nuk reagon asnjëherë ndaj Serbisë, por tallen me procesin e normalizimit

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch ka reaguar në drejtim të deklaratës së fundit të Bashkimit Evropian, ku u kërkua që Kosova menjëherë të tërheq vendimin e vendosjes së taksës 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre të Bosnje Hercegovinës.

Bosch ka deklaruar se Bashkimi Evropian nuk reagon asnjëherë ndaj shtetit të Serbisë, edhe kur ata e shkelin marrëveshjen.

“Kjo ishte e fortë, por ku është reagimin i Bashkimit Evropian kundër Serbisë për shkëputjen e marrëveshjes 12 pikëshe mbi normalizimin e marrëdhënieve, e cila thotë se të dyja vendet nuk duhet të pengojnë njëra-tjetrën në rrugën drejt BE-së, gjë të cilën Serbia e bën gjatë gjithë kohës me Kosovën.Të mos e përmendim deklaratat e pafundme të Daçiqit për vendet që votuan për Kosovën dhe sidomos për kancelarin Kurz, çfarë nervash ka ai djalë!”, ka shkruar Bosch, transmeton Indeksonline.

Tutje ai ka thënë se BE nuk harron të flasë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por harron t’ia përkujtojë Serbisë përgjegjësitë të cilat i ka.

“Ata po e bëjnë normalizimin e marrëdhënieve një proces për tallje, përmes veprimeve të tyre”, ka shkruar tutje Bosch.

Ndryshe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, ka reaguar sot pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% për produktet serbe, duke thënë se ky vendim duhet të tërhiqet menjëherë duke e parë si shkelje të CEFTA-s, dhe marrëveshjes së stabilizim asociimit./Indeksonline/