09:08 / E Martë, 07 Mars 2023 / B O

Ish-bashkëshortja viziton Alves në burgun e Barcelonës: Ai është i pafajshëm

Dani Alves vijon të qëndrojë i mbyllur në një burg të Barcelonës teksa braziliani akuzohet për përdhunimin e një vajze 23-vjeçare natën e 30 dhjetorit të vitit 2022. Situata e ish-futbollistit të Barcelonës është tejet e komplikuar duke qenë se Alves e ka ndërruar disa herë dëshminë e tij dhe në fund e pranoi se ka kryer marrëdhënien me vajzën 23-vjeçare, edhe pse këmbëngul se nuk ka bërë asgjë kundër dëshirës së saj.

Së fundmi, Alves e vizitoi në burg ish-bashkëshortja e tij me të cilën ka edhe dy fëmijë, Dinorah Santa Ana. Kjo e fundit është në krah të Alves dhe pas vizitës në burg, theksoi se beson te pafajshmëria e Alves.
“Ai është mirë, po qëndron i fortë. Duhej ta takoja Alves për shkak të fëmijëve dhe të ardhmes së tyre. Është një situatë e komplikuar edhe për ta. Duhet të kujtojmë se Alves ka edhe një familje dhe jo gjithçka që thuhet për të është e vërtetë.

Kjo është një situatë që prek edhe fëmijët, i lëndon ata. Unë si mama vuaj, sa herë vuajnë edhe fëmijët e mi. Alves fajtor? Nuk e kam pyetur mbi skenarët e mundshëm që dalin në media sepse unë besoj te pafajësia e tij”, u shpreh Dinorah.