11:38 / E Mërkurë, 22 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Ish-deputeti i kuvendit, dëshmitar në rastin ‘Medicus’

Ish-deputeti i Parlamentit të Kosovës, Shaip Muja, ka dëshmuar në gjykimin e Lutfi Dervishit e Sokol Hajdinit.

Muja gjatë dëshmisë së tij u pyet kryesisht në lidhje me një kërkesë të cilën Lutfi Dervishi e kishte bërë pranë Ministrisë së Shëndetësisë për licencim të klinikës “Medicus” që t’i mundësohej klinikës kryerja e ndërhyrjeve urologjike, duke përfshirë këtu edhe transplantimin e veshkave.

Në lidhje me “Medicus” dëshmitari tregoi se kishte marrë pjese në hapjen solemne të klinikës.

Ai po ashtu tha se kishin pranuar edhe një kërkesë nga familjarët e një 13 vjeçari, i cili kishte pasur nevojë për transplantim të veshkës.

Në lidhje me këtë rast prokurorja e çështjes Valeria Bolici kërkoi që të dinte nga dëshmitari se nëse pas këtij rasti të i ishte drejtuar dikujt në mënyrë që të adresohej ky problem për djaloshin i cili kishte nevojë për transplantim të veshkës.

Sa i përket këtij rasti dëshmitari tha se i kishte lënë përshtypje për shkak se djaloshi kishte pasur edhe probleme të tjera pos nevojës për transplantim të veshkës, prandaj tha se i ishte drejtuar dr. Dervishit që të kërkonte nga ai që t’i bënte këtij pacienti një “Check up”, dhe për ta pyetur se si mund që të trajtohej ky rast në QKUK.

Ndër të tjera dëshmitari tha se kishte biseduar me Dervishin për mundësinë e ngritjes së kapaciteteve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në lidhje me ofrimin e këtyre shërbimeve, pasi që në mungesë të këtyre shërbimeve qytetarët detyroheshin që të dilnin jashtë shtetit dhe kështu dëmtohej buxheti i Kosovës.

Pasi që kishte diskutuar në lidhje me këtë çështje së bashku me dr. Dervishin tha se kishin arritur në përfundim se në QKUK nuk kishte kushte për ngritjen e këtyre kapaciteteve dhe se gjatë kësaj bisede Dervishi kishte shprehur gatishmërinë që privatisht të angazhohej në krijimin e kushteve për transplantim të organeve brenda Kosovës.

Në lidhje me këtë iniciativë  të Dervishit, dëshmitari tha se e kishte përkrahur pasi që sipas tij nëse institucionet publike nuk mund që të ofrojnë shërbime, atëherë nuk duhet të jenë as pengesë e institucioneve private.

Për Lutfi Dervishin, dëshmitari tha se ai i kishte kërkuar që t’ia shihnin kërkesën e tij me prioritet për licencim.

Në lidhje me këtë kërkesë të Dervishit, Shaip Muja tha se kishte biseduar edhe me ministrin Alush Gashi me ç’rast ministri i kishte thënë se çdo gjë do të bëhej në kohën e duhur dhe në konsultim me kornizat ligjore.

Sa i përket kësaj kërkese dëshmitari tha se vullneti i ministrit kishte qenë pozitiv.

E i pyetur nga prokurorja se nëse pas këtij takimi i ka telefonuar Dervishin për ta njoftuar me rezultatin e kësaj bisede, ai tha se kishte kaluar një kohë e gjatë dhe se kjo çështje sipas tij nuk kishte qenë urgjente pasi që në atë kohë kishin pasur shumë probleme të tjera.

Pas kësaj prokurorja Bolici e ballafaqoi dëshmitarin me deklaratën e tij të dhënë më herët në të cilën kishte thënë se pas takimit me ministrin Gashi, ai e kishte telefonuar Lutfi Dervishin dhe i kishte thënë se pas plotësimit të standardeve do të mund të marrë licencën për të kryer shërbime urologjike.

Gjë për të cilën dëshmitari tha se ai edhe mund t’i ketë thënë kështu sepse çdokush i cili paraqiste kërkesë duhet t’i plotësojë standardet konform ligjit.