11:53 / E Enjte, 28 Janar 2021 / OSH

Ish-deputeti shqiptar pasi kaloi Covid19: Kur dola nga spitali kisha humbur 20 kg

Në një intervistë në “ Rreze Dielli’’ ish-deputeti i PS-së e botuesi Fatmir Toçi, tregoi vështirësitë që ka kaluar gjatë periudhës që ka qenë i infektuar me Covid-19.Një sëmundje e cila e përballi me shumë sfida dhe e bëri që t’i shënonte në një ditar që e ka kthyer në një libër, si një rrëfim për betejën që kaloi me armikun e padukshëm. Bashkëshortja e tij, njëherësh botuesja Irena Toçi u shpreh se botimi i këtij libri vjen si një dëshmi historike për situatën që po kalojmë:

“ E kemi si anijen tonë të udhëtimit librin, jemi lidhur me të. Që në momenti që ishte në spital Fatmiri e ndjeu instiktivisht që ishte shumë e rëndësishmë situate që po kalonte dhe duhej të linte shënime qoftë edhe për ne, ai nuk e dinte nëse do të dilte nga ajo sallë. Instiktivisht ai na kërkoi të kishte disa fletore dhe stilolapsa në mënyrë që të shkruante dhe mbante shënime përdit. Të gjithë këto I solli me vete në shtëpi, kur I pamë të dy, menduam që do të ishte shumë të shkruhej ky libër.Këto janë kohë të vështira dhe ndoshta kjo dëshmi e shkruar edhe nëse nuk ndihmon tani do të ndihmojë si një dëshmi historike për situatën që po kalojmë, të paktën këtu në Shqipëri” tha ajo.


Ai ka qëndruar 11 ditë i vetëkarantinuar në shtëpi dhe 44 ditë i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” nga të cilat 33 ditë ka qenë në reanimacion (terapi intensive).

Z.Fatmir rrëfeu se periudha me e keqe tashmë ka kaluar, por ende është i dobët nga shëndeti, ndërsa vazhdon të jetë në fazën e rikuperimit, ku vështirësia për të ecur gjatë dhe lodhja vazhdon të jetë një pasojë që nuk është zhdukur.

“Ndjehem shumë më mirë, kujtoj veten tashmë kur kthjellohem kur kam dalë nga spitali kisha rënë 20 kilogramë në peshë, i shpërfytyruar siç thonë familjarët e mi që patën kontaktin tim të parë me me mua. Akoma i pafuqishëm për t’u mbajtur vetë, për të ecur vetë, domethënë duke iu nënshtruar një regjimi tjetër në familje sikur do të isha në kushtet e spitalit, nuk zgjati pak, por mbi një muaj”, rrëfeu ai.

I pyetur se çfarë mendonte në momentet kur para syve të tij kalonin persona që e kishin humbur betejën me këtë sëmundje, ai u shpreh se edhe vetë kishte shkuar deri në atë prag:

“Një njeri që ikën dhe nuk kthehet më në jetë, kështu që duke e parë nga kjo pikëpamje I përjeton këto skena, nuk I shmanget dot. Mendja në momentin e parë të shkon që larg qoftë mund të ishe ti në vendin e atij dhe unë në disa raste kam shkuar deri në atë prag. Bëhet njeriu edhe pak fatalist, kjo është edhe fat ndonjëherë, sepse duke qenë përballë një armiku të panjour, frika ishte pjesë e atij kurimi ashtu siç ishte dhe shpresa qe do t’ia dilja”, tha ai.

Ndërsa dha edhe një mesazh për jetën, se si duhet të sillemi e të jetojmë, pas luftës së vështirë që kalojë me armikun e panjohur:

“Ne kemi ardhur në këtë jetë, për ta jetuar dhe nuk e dimë se çfarë ndodh mbas kësaj që nuk i shmangemi dot asnjherë kur të jetë momenti i duhur. Por që ta jetosh një jetë dhe të jesh i gëzuar gjatë jetës duhet të jesh i shëndetshëm në qoftë se nuk je i shëndetshëm populli thotë nuk të qesh buza kurrë, nga dhimbjet, nga sëmundjet”.