Ish-diplomati amerikan: Nëse SHBA redukton trupat në KFOR por përkrah alenacën Kosovë-Kroaci-Shqipëri, aleatët mund të jenë të qetë
David J. Kostelancik, bashkëpunëtor i lartë jo-rezident në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA), ka publikuar një analizë mbi diskutimet për reduktimin e trupave amerikane në Kosovë.
Sipas Kostelancik, vetëm ideja e një tërheqjeje të pjesshme të trupave ka shkaktuar shqetësim të gjerë në Kongresin amerikan, duke bashkuar demokratët dhe republikanët në një qëndrim të përbashkët.
“Prania amerikane mbetet një pengesë kyçe kundër përshkallëzimit të tensioneve etnike ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve”, thekson Kostelancik.
Ai shton se çështja e pranisë amerikane në KFOR ngre pyetje më të gjera mbi të ardhmen e misioneve paqeruajtëse të NATO-s dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në arkitekturën e sigurisë evropiane.
Sipas analizës, çdo vendim për reduktim të trupave duhet parë edhe në kontekstin e bashkëpunimit në rritje mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës. Një veprim i ngutshëm nga SHBA, paralajmëron Kostelancik, mund të interpretohet nga Serbia dhe Rusia si mungesë e mbështetjes perëndimore për këtë bashkëpunim rajonal.
Në mbyllje të shkrimit, eksperti amerikan nënvizon se ekuilibri është i mundshëm: aleatët e SHBA-së mund të ndihen të sigurt nëse Washingtoni redukton praninë në KFOR, por njëkohësisht vazhdon të përkrahë bashkëpunimin mes Tiranës, Zagrebit dhe Prishtinës.
Sipas tij, kjo qasje do t’i dekurajonte aktorët rajonalë që të shfrytëzojnë boshllëqe në sigurinë e Ballkanit Perëndimor.

