23:46 / E Shtunë, 23 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Ish futbollisti i Interit: Kam qenë pjesë e policisë sekrete

Matthias Sammer ka rrëfyer një të vërtetë që e kishte mbajtur të fshehtë për shumë kohë. Fituesi i Topit të Artë ka bërë me dije se ka qenë pjesë e policisë sekrete të Gjermanisë Lindore, por ka theksuar se e ka bërë këtë zgjedhje i detyruar nga sistemi i asaj kohe.

Ish futbollisti tregoi se në kohën kur luante për Dinamo Dresden, në krye të klubit gjerman ishte Erich Mielke, ministri i mbrojtjes të Gjermanisë Lindore të asaj kohe, i cili u imponohej futbollistëve të ishin pjesë e atij sistemi spiunazhi, ose në të kundërt do t’u duhej t’i thoshin lamtumirë futbollit.

Samer ka zbuluar se kjo ishte gjithashtu e vetmja alternativë për t’iu shmangur shërbimit ushtarak, ku në atë kohë ishte i detyrueshëm. Pavarësisht implikimit në Staatssicherheit, ish ylli i Interit është shprehur se nuk ka spiunuar asnjëherë askënd dhe nuk i ka bërë askujt keq, madje ka shtuar se nuk ka mbajtur armë në asnjë moment.

Një rast i tillë i ndodhi edhe babait të tij, Klaus Sammer, i cili ka qenë po ashtu futbollist. Këtij të fundit iu kërkua të bëhej pjesë e Partisë Socialiste të Gjermanisë Lindore, por ndryshe nga i biri, Klaus refuzoi dhe për këtë arsye u la jashtë skuadrës kombëtare, duke i dhënë fund karrierës në një moshë shumë të re.