10:07 / E Mërkurë, 05 Tetor 2022 / B O

Ish-komandanti amerikan: Krimea deri kah mesi i vitit 2023 do të jetë në duar të ukrainasve

Ish-komandanti i forcave amerikane në Evropë, gjenerali Ben Hodges, në forumin vjetor të sigurisë në Varshavë ka deklaruar se Ukraina deri në fund të vitit do ta shtyjë Rusinë përsëri në kufijtë e paraluftës dhe se do ta rimarrë gadishullin e Krimesë deri në mesin e vitit 2023.

“Shumë herët është që të festojmë fitoren, por kam besim se deri në fund të vitit ukrainasit do t’i shtyjnë rusët përsëri në vijën e 23 shkurtit (para luftës) dhe deri në fund të verës së ardhshme ata do ta marrin Krimenë”, tha Hodges për kanalin polak TVN24 BiS.

Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014, një lëvizje që shumë njerëz e shohin si një prelud i luftës aktuale.

“Ukraina ka arritur një dinamikë të tillë që tashmë është e pakthyeshme. Nga historia e dimë se lufta është një provë e vullnetit dhe logjistikës. Është e qartë se ushtarët ukrainas kanë më shumë motivim sesa ata rusë”, tha Hodges, duke iu referuar sukseseve të Ukrainës kundër armikut të saj shumë më të madh.

Më tej, ai shtoi se “presidenti rus, Vladimir Putin, po bën gjithçka për të thyer unitetin e Perëndimit”, por kjo sipas tij “nuk do të ndodhë”.

“Kremlini do të dëshirojë të zgjasë konfliktin dhe mbështetet në faktin se ne, SHBA-ja, Britania e Madhe, Polonia, Gjermania, do të humbasim interesin dhe nuk do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën. Por kjo nuk do të ndodhë”, tha oficeri në pension.

Forumi dy-ditor në kryeqytetin polak mbledh në një vend politikanë të lartë dhe përfaqësues të industrisë së mbrojtjes nga Bashkimi Evropian (BE) dhe SHBA-ja.