18:21 / E Enjte, 01 Qershor 2023 / L K

Ish-kryetari i Leposaviqi kërkon që Hetemi të largohet nga komuna: Qëndrimet tona përputhen me të opozitës e Quint-it

Ish-kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq, ka thënë se populli atje është i vendosur të qëndrojë duke protestuar deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Todiq tha se kërkesa e tyre është që kryetari i ri i Leposaviqit, Lulëzim Hetemi, të largohet nga objekti i komunës.

“Kërkesa jonë është që zotëri Hetemi të largohet nga objekti bashkë me bashkëpunëtorë, ta lëshojnë ndërtesën forcat e policisë. Atëherë jeta do të zhvillohej normalisht. Tash jeta është paralizuar”, tha Todiq para gazetarëve.

Tutje, pavarësisht se 30 të KFOR-it janë lënduar nga protestuesit serbë, ku tre prej tyre janë plagosur me armë zjarri, Todiq tha se “nuk ka dhunë këtu, nuk e di prej nga vjen dhuna”.

“Unë po ju pyes juve, pse Policia e Kosovës e ka përdorë dhunën dhe me dhunë e ka sjellë Hetemin këtu. Pse s’po e pyesni Albin Kurtin pse nuk e ka dëgjuar këshillën e ambasadorit Hovenier dhe ambasadorëve të QUINT-it”, tha ai, njofton Klankosova.tv.

Më tej, ish kryetari i Leposaviqit tha se qëndrimet e tyre po përshtaten me qëndrimet e Quint-it dhe partive opozitare në vend.

“Edhe partitë parlamentare që janë në opozitë gjithashtu i ndajnë qëndrimet me ne. Kjo situatë nuk dërgon askund”, tha ai.