20:09 / E Mërkurë, 08 Gusht 2018 / indeksADMonline

Ish-oficeri i Antidrogës: Mos më dëboni! Në Shqipëri jam 100% i vdekur

Edhe pse më pak i njohur për publikun, bashkë me Dritan Zaganin, ai ishte pjesë e njësisë Antidrogë të Policisë së Fierit dhe kryen ndalimin e famshëm të Habiljave, kushërinjve të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në aksin Levan-Tepelenë.

Efektivi quhet Antonio Nazëraj dhe që prej përplasjes me Habilajt ai dha dorëheqjen dhe u largua nga forcat e Policisë së Shtetit për tu strehuar në Holandë, ku edhe ka kërkuar azil, por që si duket po shkon drejt marrjes së një përgjigje negative.

“Kur të kthehem (në Shqipëri), jam 100 për qind i vdekur”. Kështu shprehet ish-oficeri i Antidrogës në një intervistë për median holandeze “Eenvandaag”, që raporton se Nazërajt mund t’i duhet të përballet me dëbimin në Shqipëri.

“Ai ishte në vendin e tij një anëtar i një ekipi antidrogës që hetoi Ministrin e Punëve të Brendshme të Shqipërisë (Saimir Tahiri). Ministri të cilit i drejtohej hetimi doli të ketë lidhje me kriminelët e drogës dhe që atëherë ka dhënë dorëheqjen. Agjenti kërcënohet për këtë dhe tani frikësohet për jetën e tij dhe atë të familjes së tij, kur ti duhet të kthehet në Shqipëri”, shkruan media holandeze.

Sipas gazetarëve “është e habitshme që gjyqtari në Zwolle i kërkoi Shërbimit të Imigracionit të shikonte përsëri dhe më mirë rastin e oficerit të policisë, Antonio Nazeraj”.

“Më parë, agjenti ishte informuar se ai nuk duhej të largohej nga vendi. Por, Këshilli i Shtetit vendosi dy javë më parë dhe pa seancë që Nazeraj dhe familja e tij duhet të largohen nga Holanda”, thuhet më tej në artikull.

“Shqipëria duhet të jetë e sigurt për Nazërajn. Kjo ka të bëjë me Shqipërinë që është shpallur një vend i sigurt”, thotë avokati Maartje Terpstra.

Ndërkohë vetë Nazëraj thotë se Shqipëria nuk do të jetë kurrë një vend i sigurt për sa kohë vazhdon ende të raportohet për forcim të bandave kriminale që kryejnë trafikun ndërkombëtar të drogës dhe ka frikë për jetën e tij.

“Unë nuk e shoh Shqipërinë si një vend të sigurt për veten time, kam frikë nga grupet kriminale që unë kam hetuar më parë, të cilët kanë marrë kontrollin e trafikut të drogës dhe po marrin mbështetje të fortë politike”, thotë ish oficeri i Antidrogës.

Media holandeze në fund thekson se Nazeraj dhe avokati i tij po planifikojnë të nisin një procedurë të re azili dhe të përpiqen përsëri për të parandaluar dëbimin.