09:15 / E Martë, 30 Qershor 2020 / indeksADMonline

Ish-polici amerikan pranon fajin – kreu 13 vrasje, përdhunime e plaçkitje

Joseph DeAngelo, i njohur ndryshe si “Vrasësi i Kalifornisë” ka pranuar 13 vrasje në një marrëveshje me prokurorët për t’i shpëtuar dënimit me vdekje.

DeAngelo ka qenë polic në Kaliforni gjatë kohës së krimeve të tij në vitet 1970-të – 80-të, është arrestuar në vitin 2018 pas zbulimit të ADN-së së tij në një faqe interneti gjenealogjie, raporton “The Guardian”.

Seanca gjyqësore në Sacramento u zhvillua në një sallë vallëzimi universiteti, në mënyrë që të merrnin pjesë familjarët e viktimave. Ai ka pranuar gjithashtu disa përdhunime, grabitje dhe krime të tjera.

74-vjeçari DeAngelo, pritet të dënohet me burgim të përjetshëm në seancën e dytë ku do të dëgjohen dëshmitë e viktimave. Dënimi i tij është kulmimi i hetimit që datonte prej vitit 1970-të dhe ka tërhequr vëmendje globale.