Ish-selektori Maliqi beson: Kosova kalon Sllovakinë pavarësisht mungesave!
Ish-selektori i grupmoshave të reja të Kosovës, Adil Maliqi për Indeksonline.net, ka analizuar listën e përzgjedhësit Franco Foda dhe ka dhënë vlerësimin e tij për ndeshjen e së enjtes ndaj Sllovakisë, në kuadër të play-off-it për Kupën e Botës 2026.
Maliqi thekson se mungesat e Amir Rrahmanit dhe Leon Avdullahut janë goditje e madhe për ekipin kombëtar, shkruan Indeksonline

“Amir Rrahmani dhe Leon Avdullahu janë dy humbje shumë të mëdha për Kosovën. Rrahmani është një nga lojtarët me më së shumti eksperiencë dhe që është sprovuar në ndeshje të mëdha, si te Napoli. Ai e di se si luhen këto ndeshje. Edhe Leoni na mungon, sepse është lojtar me cilësi të mëdha dhe ka sjellë stabilitet në mesfushë, sidomos në pozitën ku kemi pasur probleme. Kemi humbur dy lojtarë që do i jepnin qetësi dhe stabilitet Kosovës”, u shpreh ai
Sa i përket mungesës së Meriton Korenicës, i cili po kalon formë shumë të mirë në Rumani, Maliqi vlerëson se ai meritonte një ftesë. “Meritoni aktualisht është në një formë të jashtëzakonshme. I kam parë statistikat e tij dhe janë shumë të mira. Arsyeja pse nuk është ftuar nuk dihet, pasi varet nga mënyra se si e sheh trajneri rolin e tij në ekip. Nuk do të ishte keq të ftohej”, deklaroi Maliqi për Indeksonline.net

Duke folur për kundërshtarin, ai e cilëson Sllovakinë si një ekip fizikisht të fortë, por beson se Kosova ka avantazh në cilësi. “Është një skuadër shumë e fortë fizikisht dhe ka përparësinë e fushës vendase. Por, në aspektin e cilësisë ne jemi më të mirë, sidomos individualisht dhe taktikisht. Është shumë e rëndësishme të mos pranojmë gol të shpejtë dhe të jemi stabil në mbrojtje. Në sulm kemi lojtarë në super formë që mund të bëjnë diferencën”, theksoi ai.
Në fund, Maliqi dha edhe një parashikim optimist për këtë përballje vendimtare. “Ne do ta fitojmë ndeshjen. Mendoj se rezultati do të jetë 1:2, me golat e Muriqit dhe Asllanit. Forca Kosova!”, përfundoi ai.
Ndeshja ndërmjet Sllovakisë dhe Kosovës zhvillohet të enjten dhe është vendimtare për rrugëtimin drejt Kupës së Botës 2026./Indeksonline/ Granit Tërstena/

