Ish-zëvendës shefi i CIA-s: Uashingtoni nuk është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan
Steven Meyer, ish-zëvendës shefi i CIA-s për Ballkan po thotë se Uashingtoni nuk është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan, nëse për këtë pajtohen dy palët duke aluduar në Kosovën dhe Serbinë.
Tutje Mayer, i njohur për qëndrimet kundër Kosovës ka thënë se politika amerikane ka ndryshuar.
“Unë nuk besoj se në qoftë se udhëheqja lokale dëshiron të ndryshojë kufijtë, atëherë Uashingtoni do ta kundërshtojë. Gjermania ka frikë nga jostabiliteti, kurse BE-ja e ka pranuar si zgjidhje nëse palët pajtohen”, deklaroi Meyer, transmeton Gazeta Insajderi.
Ai tutje ka deklaruar se serbët duhet ta kuptojnë që Kosovën si të plotë nuk mund ta rikthejnë, pasi sipas tij do të mund të shpërthente lufta.
Por thekson se zonën në veri të lumit Ibër, ka gjasa që ta marrë përsëri shteti serb.
“Miqtë serbë ju them se duhet ta kuptojnë që shumica e Kosovës nuk mund të rikthehet pasi do të thoshte luftë. Por zonën në veri të lumit Ibër është histori tjetër”, tha Meyer.
Ai vlerëson se është e nevojshme që të mabhet një referendum në Republikën Serbe në Bosnje, me tri opsione: qëndrim në Bosnje, pavarësi ose bashkim me Serbinë.
Duke folur për raportet e Serbisë me Amerikën, ai ka thënë se një vend i vogël si shteti serb mund të ketë raporte të mira edhe me SHBA-në por edhe me Rusinë.
Mayer kohë më parë kishte përmendur mundësinë e korrigjimit të kufijve për zgjidhjen Kosovë-Serbi.
Në maj të vitit 2017 ai kishte thënë se në Ballkan mund të ketë ndryshim të kufijve.
“Megjithatë, është me rëndësi të kihet parasysh se Uashingtoni nuk është më shumë i interesuar për Ballkanin. Administrata e Trumpit nuk do të reagojë në veçanti nëse këto ndryshime arrihen në mënyrë paqësore, të themi, siç ka ardhur deri tek pavarësia e Malit të Zi”, kishte thënë ai.