13:51 / E Hënë, 06 Dhjetor 2021 / MSH

“Isha shumë me fat”, 18 vjeçarja tregon luftën me krokodilin

Një 18-vjeçare angleze tregoi momentet e tmerrshme kur një krokodil e sulmoi, gjatë pushimeve të saj në Zambia.

Amelie Osborn-Smith po bënte rafting në lumin Zambezi, kur një krokodil i madh e kafshoi në këmbë, duke i shkaktuar plagë të rënda.

Nga spitali, anglezja tregon: “Në ato momente, nuk mendon më asgjë. Njerëzit thonë se të del e gjithë jeta para syve, por nuk ishte kështu. Vetëm mendoja se si të shpëtoja. Isha me shumë fat”.

Gjithashtu, adoleshentja shtoi se fillimisht ishte e bindur që do ta humbte këmbën: “Kur më kafshoi në këmbë dhe më tërhoqi, isha e bindur se nuk do të kisha më këmbë. Pasi shpëtova, u thashë miqve të mi që rëndësi kishte që isha gjallë, nuk ishte problem këmba. Fatmirësisht, mjekët ma shpëtuan këmbën dhe më thanë që do të eci normalisht”.

Pavarësisht eksperiencës së tmerrshme, e reja thotë se do të kthehet sërish në Zambia kur të shërohet.

“Kuptova që jetën mund ta humbasësh sa hap e mbyll sytë. Nëse jeton duke i stërmenduar gjërat, do të thotë se nuk po jeton siç duhet. Nuk duhet që incidentet të të frenojnë”, shprehet vajza angleze.