11:49 / E Diele, 17 Shtator 2023 / Gj. Sh

Ishin nisur për transfertë, lojtarët e klubit të LaLiga-s “harrohen” në kafe dhe humbasin avionin

Las Palmas luan ndeshjen e javës së pestë në transfertën andaluziane ndaj Sevillas teksa problemet kanë nisur që në aeroport për 17 lojtarë të Las Palmasit. Këta të fundit humbën avionin pasi ndaluan për të konsumuar kafe në një prej lokaleve të aeroportit.

Pasi e kuptuan se ishin vonuar më shumë seç duhej, lojtarët e bënë edhe një përpjekje për të kapur avionin, mirëpo nuk arritën të gjenin rrugën e duhur në aeroport dhe në këtë formë e humbën fluturimin për në Madrid nga ku do të drejtoheshin më pas për në Seville.

Drejtuesit e Las Palmas mund të marrin masa për këtë papërgjegjshmëri të lojtarëve, të cilët në fakt kanë vetëm një mënyrë për të shmangur gjobën. Të fitojnë ndaj Sevillës, edhe pse bëhet fjalë për një mision të vështirë me Las Palmas që ende nuk e ka gjetur fitoren e parë për këtë sezon duke barazuar 2 ndeshje dhe duke humbur dy të tjera.