75 Mall Live Search
22:53 / E Diele, 18 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Ismail Kadare tregon telefonatën me ish diktatorin Hoxha

Telefonimi i Enver Hoxhës kishte ndodhur vërtet përpara ca kohe. Ishte mesditë, ndodhesha si zakonisht në Lidhjen e Shkrimtarëve kur zëvendëskryeredaktori i gazetës “Drita”, duke më zgjatur telefonin, më tha se dikush më kërkonte.

NGA LIBRI “KUR SUNDUESIT GRINDEN-RRETH MISTERIT TË TELEFONIMIT STALIN-PASTERNAK”

ISMAIL KADARE

Jam Haxhi Kroi, tha zëri. Me ju do të flasë shoku Enver.

Nuk arrita të them asgjë, veç fjalës “faleminderit”! më përgëzoi për një poemë që sapo ishte botuar në gazetë. Unë thashë prapë “faleminderit”. Ai tha se i kishte pëlqyer shumë dhe, ndërsa iu bëra një shenjë të tjerëve që të mos bënin zhurmë, pa qenë në gjendje të shqiptoja diçka tjetër, përsërita një “faleminderit” të tretë.

Ç’janë këto katër falënderime rresht, tha njëri nga redaktorët. Kur na qenke bërë kaq i sjellshëm?

S’dija si t’i paralajmëroja, veç bëra një shenjë tjetër me dorë, që vështirë se mund të kuptohej ç’donte të thoshte.

Ishte Enver Hoxha. Ishin të vetmet fjalë që arrita të them, kur telefoni u mbyll.

Vërtet? Si? Ai vetë?

Po, u përgjigja.

Po si? Ç’të tha? Po ti? Si nuk i the asgjë?

U përgjigja: nuk e di. Siç duket, u hutova.

Iu tregova për përgëzimin e tij dhe ata prapë shfaqën keqardhjen që nuk fola pak më tepër, veç njërit, që më dha të drejtë, duke sqaruar se, në raste të tilla të lidhej goja…