14:59 / E Martë, 21 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Ismet Beqiri tregon degën që i dha “krahë” Arban Abrashit

Nga pesë degë të LDK-së në Prishtinë, ajo e Kodrës së Trimave duket se i ka dhënë më së shumti vota Arban Abrashit. Kështu të paktën ka deklaruar kryetari i kësaj dege, Ismet Beqiri.

Megjithatë, Beqiri ka thënë se të gjitha degët e LDK-së kanë qenë të angazhuara për ta bërë fitues Abrashin.

“Ne të gjithë jemi angazhuar në Prishtinë, i kemi pesë degë të LDK-së. I falënderoj të gjithë për këtë, por tani më bie ta them në këtë rast, ndonëse nuk dua ta personalizoj, por padyshim dega e parë të cilën e udhëheqë unë janë 8 mijë e 95 vota për zotin Abrashi.  Për Shpendin janë 5 mijë e 350 vota. Pra Arbani apo LDK ka diferencë me VV-në 2 mijë e 745 vota, ose diku rreth 60%” ka thënë Beqiri.

Tutje, Beqiri ka shtuar se përmirësim në numrin e votave ka pasur në degën e dytë dhe të pestë të LDK-së.

“Ne kemi rezultate pozitive në të gjitha degët prej balotazhit, por kemi përmirësim në degën e dytë dhe në degën e pestë”, ka thënë ai.

Kujtojmë se edhe në raundin e parë të zgjedhjeve, dega e LDK-së në Kodrën e Trimave ka qenë shtylla e votave për Abrashin./Indeksonline/