20:49 / E Premte, 10 Prill 2020 / indeksADMonline

Ismet Munishi zbulon pagën mesatare të futbollistëve në Kosovë

rajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, ka thënë se paga mesatare e futbollistëve në Kosovë është 1500 deri në 2000 euro, përderisa e ka pranuar se ka lojtarë që paguhen mjaft shumë në klubet kosovare.

Njëjtë si vendet e tjera në botë, edhe Kosova po përballet me virusin Covid-19.

Ky virus ka bërë që të ndërpriten të gjitha aktivitetet sportive në vend, përfshirë këtu edhe ndeshjet e kampionatit në Ipko Superligën e Kosovës.

Klubet tashmë jo vetëm që i kanë pezulluar ndeshjet, por i kanë pezulluar edhe seancat stërvitore, përderisa i kanë udhëzuar futbollistët të vazhdojnë të stërviten nëpër shtëpitë e tyre që të mos e humbin formën e mirë.

Pasi që shumica e klubeve kosovare udhëhiqen nga biznesmenë që vijnë nga sektori privat, tashmë klubet e tyre po përballen edhe me krizë në aspektin financiar, jo vetëm në atë sportiv.

Kjo ka bërë që klubet të pësojnë dëme të mëdha financiare tani që janë pezulluar aktivitetet sportive, përderisa edhe bizneset e kryetarëve të klubeve po e kanë të vështirë t’i menaxhojnë dëmet e tyre. Kjo bën që të ketë rrezik që futbollistët dhe stafi i klubeve të mbeten pa paga nëse situata nuk përmirësohet.

E ky problem bëhet edhe më i madh kur merren parasysh pagat e futbollistëve. I pyetur se a ka paga rreth 7000 e 8000 euro në Kosovë, Munishi u përgjigj se ka.

“Po, ka paga mjaft të larta në ligën e Kosovës. Mos të harrojmë që disa klube kanë transferuar lojtarë me emër. Mesatarja në futbollin e Kosovës mund të jetë 1500 deri në 2000”, ka thënë Munishi në emisionin sportiv “Favorit” në T7.

Megjithatë, Munishi insistoi se e gjithë barra nuk duhet të hidhet mbi futbollistët pasi që përgjysmimi i pagës së tyre nuk është zgjidhja më e mirë, por se duhet të ndihmohen klubet nga Federata dhe institucionet.