13:01 / E Premte, 09 Prill 2021 / Blerim

Istogu merr vendim/ Largon nga detyra fajtorin që i eliminoi nga Kupa e Kosovës

Skuadra e Istogut ka larguar nga puna, sekretarin e deritashëm, Fatmir Hakaj.

Përmes komunikatës klubi nga Liga e Parë e Kosovës ka treguar se ka liruar nga puna sekretarin për shkak të gabimit që bëri në Kupën e Kosovës në ndeshjen kundër Dukagjinit, shkruan IndeksOnline

“Me anë të kësaj komunikate, FC ‘Istogu’ , ju njofton se nga sot sekretari i deritanishëm, z.Fatmir Hakaj, nuk do të jetë më pjesë e klubit tonë. Klubi ka vendosur që ta shkarkojë nga pozita e sekretarit z.Fatmir Hakaj, i cili ishte pjesë e klubit që nga viti 2009”, shkruhet në njoftimin e klubit kosovar.

Hakaj bëri gabim duke e çuar listën e lojtarëve te trajneri, e në atë listë ishte pjesë futbollisti që s’kishte të drejtë loje për shkak të kartonëve.

Kujtojmë që Istogu ndeshjen e parë e humbi 1 me 2, por për shkak të këtij gabimi rezultati zyrtar nga FFK-ja u vendos 0 me 3 në të mirë të Dukagjinit./IndeksOnline/