11:48 / E Enjte, 22 Gusht 2019 / indeksADMonline

Isufi: Rolin në dialogun e ardhshëm Kosovë-Serbi, do ta ketë Qeveria

Shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, pas votimit për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, tha se si parti në këtë seancë kërkuan që të diskutojnë shefat e grupeve parlamentare, por që nuk u mundësua një gjë e tillë.

Ai tha se qeveria ”Haradinaj” ka mbrojtur tërësinë territoriale dhe sovranitetin e vendit. Duke përmendur kështu taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake, Ligjin e ushtrisë, Ligjin e Prishtinës dhe Ligjin e statusit e viktimave të dhunës Seksuale.

“Jam i detyruar të tregoj se Qeveria e Kosovës për këta dy vjet, ka realizuar vendime, projekte, ligje që qeveritë e tjera për 20 vjet nuk i kanë bërë”, tha ai.

Ai theksoi se rolin për dialogun e ardhshëm Kosovë- Serbi do ta ketë Qeveria e Kosovës, dhe ajo, sipas tij do të duhej t’i garantonte popullit se nuk do të dërgojë tema të brendshme të Kosovës, në Bruksel.

“Rolin në dialogun e ardhshëm Kosovë-Serbi, që është shumë i rëndësishëm do ta ketë Qeveria e Kosovës, e cila do të garantojë popullin e Kosovës se nuk do të dërgojë tema të brendshme të Kosovës, në Bruksel. Por, temat e Kosovës do t’i zgjidhë për brenda Kosovës, qoftë edhe të minoriteteve. Por, që në dialogu me Serbinë do të kërkohet njohja reciproke midis dy shteteve. Pa njohjen reciproke nuk do të ketë heqje takse, nuk ka asnjë lëshim në asnjë variant”, ka thënë ai.

Ndryshe, me 89 vota për, 1 kundër dhe dy abstenime, u votua sot për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës.