16:50 / E Shtunë, 25 Nëntor 2023 / MSH

Itali, organizohen marshime masive kundër dhunës ndaj grave

Mobilizime, marshime, fjalime janë planifikuar sot në të gjithë Italinë, për të dërguar një mesazh kumbues, në ditën ndërkombëtare të luftës kundër dhunës ndaj grave.

Janë organizuar marshime nga Parma në Siçili, ndërsa mobilizimi më i madh do të zhvillohet pasditen e sotme, në kryeqytetin italian. Dhjetëra mijëra gra do të mbajnë pankarta në duar “jo më femicide”, pas valës së madhe të emocioneve dhe zemërimit të shkaktuar nga vrasja e 22-vjeçares Julia Cechetin nga ish-i fejuari, Filippo Tourretta.

Tourretta u arrestua në Gjermani dhe mëngjesin e sotëm, dhe më pas u ekstradua në Itali. Ai vrau vajzën fatkeqe pasi nuk pranoi ndarjen e tyre dhe, sipas dëshmive, ishte xheloz edhe për karrierën e saj.

Ai pritet të dalë në gjyq për rrëmbim dhe vrasje me paramendim.

“Burrat dhe gratë bashkohen për të ndërtuar një njerëzim më të mirë, përmes diversitetit dhe solidaritetit, me vetëdijen se nuk mund të ketë dashuri pa respekt, pa pranuar lirinë e tjetrit”, theksoi presidenti italian i republikës, Sergio Mattarella.

“Kur një grua vritet, kur i pritet filli i jetës së një vajze apo kur përdoren fjalë poshtëruese, në familje, në vendin e punës, në shkolla, ndjejmë se pas gjithë kësaj qëndron dështimi i një shoqërie, e cila nuk arrin të promovojë vlerat e barazisë reale mes burrave dhe grave”, shtoi ai.