15:01 / E Premte, 28 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Iu gjeten në veturë 4.5 kg drogë, prokuroria ngre aktakuzë

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet H.K., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 273 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, më 01.10.2018 rreth orës 09:35 në pikëkontrollin në fshatin Pllavë – Komuna e Dragashit, i akuzuari H.K., së bashku me D.L., S.K., dhe P.M., pa autorizim transportonin me qëllim të shitjes apo të shpërndarjes substanca psikotrope të llojit marihuanë të cilët me ligj janë shpallur si narkotikë.

I akuzuari H.K., ia jep 750 euro për blerje të marihuanës personit me inicialet D.L., ashtu që pas ndalimit të automjetit nga policia në pikëkontroll, i cili automjet drejtohej nga P.M., dhe më pas policia me të vërejtur qesen e zezë në sediljen e pasme të automjetit, i urdhëron të akuzuarit të dilnin nga automjeti, me ç’rast D.L., prangoset meqë duke dalë nga automjeti tenton ta gjuante qesen në të cilën kishte lëndë psikotropike të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 4 kg. e 694.16 gr., si dhe në një xhaketë kishte të holla në shumë prej 755.80 eurosh. Ndërsa, S.K., dhe P.M., pas një kohe ndalohen nga policia, kurse i akuzuari H.K., arratiset nga vendi i ngjarjes, duke qenë i paarritshëm për një periudhë kohore për organet e ndjekjes.

Me këto veprime, i akuzuari H.K., ka përmbushur elementet e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cilat i vihet në barrë.