23:33 / E Premte, 17 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Ja çfarë mesazhi ka Valdete Idrizi për qytetarët

Kandidatja e Partisë Demokratike të Kosovës për kreun e komunës së Mitrovicës, Valdete Idrizi  ka dhënë mesazhin për qytetarët, përkrahësit e saj dhe PDK-në.

 Ja postimi i plotë i saj:

“Të nderuar qytetarë të Mitrovicës, Po ju drejtohem si bashkëqytetare Juaja, që jeton pranë jush, që gëzohet për arritjet dhe shqetësohet për sfidat tona të përbashkëta. Po ju drejtohem si bijë e Shalës, e lindur dhe e rritur në Mitrovicë, pranë njerëzve të mirë, pa marrë parasysh prejardhjen e tyre, që kurrë nuk janë ndarë nga njëri-tjetri as në momentet më të rënda.

Po ju drejtohem si bijë e minatorit, që ia ndjen frymëmarrjen kësaj toke të bekuar, por që ka nevojë për oksigjen rinor. Të nderuar, Më lejoni t’ua rikujtoj se të dielën, më 19 nëntor 2017, mbahet balotazhi për kryetar të Komunës së Mitrovicës, ku ju do të vendosni për të ardhmen tuaj. Votoni lirshëm dhe mos pranoni joshje nga askush.

Pres që Ju të mbështesni vlerat e mirëfillta. Unë, me sinqeritetin më të madh, zotohem se qeverisja ime do të jetë ndryshe. Bashkë me ju, pa marrë parasysh përkatësinë tuaj partiake, do të jem shembull i qeverisjes, për ta bërë Mitrovicën qytet të mundësive për të gjithë. E di që ju do të bëni zgjidhjen e duhur, sepse ju nuk i besoni atyre që nuk kanë program dhe as vizion për të qeverisur. E di qe ju nuk i besoni atyre që mundohen t’ju helmojnë me urrejtje.

Madhështia juaj përballë së keqes, prapambetjes, injorancës, arrogancës dhe fyerjes, është mur që mashtruesit nuk e thyejnë dot.

Më duhet mbështetja juaj me votë, që bashkërisht ta bëjmë të mundshme të ardhmen më të mirë për të gjithë qytetarët pa dallim. Deri tash, kemi marrëveshje me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Partinë “Ura” dhe Koalicionin “Vakat”.

Nga zemra falënderoj edhe anëtarët e subjekteve tjera politike të cilat që nga struktura lokale dhe qendrore më ofrojnë përkrahje pa rezervë. Falënderoj Familjen time, në veçanti gjyshen time 102 vjeçare, bijë e Galicës, miqtë, dashamirët dhe vullnetarët e shumtë gjatë tërë fushatës elektorale që pa ndihmën e tyre nuk do të kisha sukses.

Falënderoj qytetarët pa përkatësi partiake më kanë ofruar siguri se do ta votojnë numrin 94 dhe kandidaturën time. Falënderoj organizatat, shoqatat dhe institucionet joqeveritare, vendore e ndërkombëtare, ndërmarrjet, kompanitë e ndryshme dhe bizneset familjare për mbështetjen e kandidaturës time për kreun e komunës. Sigurisht, falënderim i veçantë shkon për Rininë dhe Gruan Demokratike që me përkushtim përhapën dhe mbrojtën platformën time zgjedhore si zgjidhja e vetme për Mitrovicën ndryshe. Po ashtu, pa ndihmën e seksioneve, nëndegëve dhe degës së PDK-së nuk do të mund të realizoheshin qindra takime në tërë komunën tonë.

Falënderim i jashtëzakonshëm shkon për Kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin, besimin e tij ndaj mundësive të mia. Falënderoj po ashtu deputetët, ministrat dhe personalitetet tjera politike që promovuan platformën time zgjedhore, platformën e fitores.

Më duhet mbështetja juaj që të fitoj Mitrovica dhe të gjithë qytetarët e saj. Ne së bashku do ta bëjmë ndryshimin! Ju faleminderit!” Znj. Idrizi sot ka zhvilluar aktivitete të ngjeshura zgjedhore, duke vizituar dhe bashkëbiseduar me biznese, qytetarë, anëtarë të PDK-së e simpatizantë si në Zhabar, Kçiq i madh, Kçiq i vogël, duke e mbyllur fushatën në Shalë të Bajgorës, në Rashan e Bajgorë.