Jaguar lanson konceptin e ri, ndryshon krejtësisht
Prodhuesi britanik i veturave, Jaguar, ka shpalosur konceptin e ri për veturën elektrike, pak pasi nxiti debat të gjerë me videot paralajmëruese.
Modeli i shpalosur “Type 00” ka nxitur reagime të shumta në rrjete sociale. Disa adhurues të kompanisë e kanë vlerësuar dizajnin e të tjerët e kanë përqeshur.
Muajin e shkuar, kompania – që po synon ndryshimin më të madh në historinë e saj – e prezantoi logon e re dhe nisi paralajmërimin për rilansimin si brend vetëm elektrik.
Gjatë prezantimit të “Type 00” në Miami, në orët e para të mëngjesit të së martës sipas kohës në Evropë, shefi i seksionit kreativ të Jaguarit, Gerry McGovern, ka thënë se kompania mirëpret vëmendjen që e ka marrë.
“Gjithmonë ka zgjuar emocione dhe do të vazhdojë kështu. Jaguari nuk ka dëshirë të duhet nga të gjithë”, ka thënë ai.
Në rrjete sociale pati reagime të ndryshme nga adhuruesit e veturave luksoze të brendit. “Kthehuni në tabelën e vizatimit”, “urojmë të mos dalë kurrë”, “mrekulli” e “e jashtëzakonshme”, kanë qenë versionet e ndryshme të komenteve.
Karl Brauer, analist i industrisë, ka thënë se është skeptik për ribrendimin. Kompania duket se po “sakrifikon të kaluarën e Jaguarit me shpresën për të ardhmen më të mirë”, ka thënë ai për BBC-në. “Nuk mendoj se do të funksionojë”.
Muajin e shkuar, kompania kërkoi nga njerëzit t’i besojnë dhe të mos e paragjykojnë për punën e ribrendimit të kompanisë, që ka historik më shumë se një shekull.
Më herët në nëntor, Jaguar Land Rover ndali shitjet e veturave të reja të Jaguarit në Britani para lansimit vetëm si brend elektrik nga 2026-a.
Kompania pati njoftuar për kalimin në brend elektrik më 2021.
Jaguari ka qenë pika më e dobët e grupit JLR që udhëhiqet nga Tata Motors.
E koncepti i prezantuar të martën, “Type 00” është vetëm pararendës i modelit GT me katër dyer që do të shpaloset vitin e ardhshëm. Me shifrat “zero-zero”, kompania thotë se po rikthen gjithçka në zero dhe me këtë vjen edhe e ardhmja e emetimit – pra zero karbon të liruar.