15:41 / E Diele, 08 Tetor 2017 / indeksADMonline

“Jam italian, por jam krenar që jam trajner i Shqipërisë”

Për Panuccin do të jetë emocionuese përballja me Italinë, por ai është i koncentruar te Shqipëria. Ish lojtari i Real Madridit, Interit e Milanit – kërkon rezultat pozitiv të hënën mbrëmë në “Loro Borici” kundër Italisë.

Përballja me përfaqësuesen e vendit do të ishte natyrshëm emocionuese për këdo, megjithatë trajneri italian, Christian Panucci mbetet i përqendruar te Shqipëria, shkruan Gazeta Express.

Ai deklaroi në konferencën për media se rezultati pozitiv do t’i kënaqë të gjithë, por paralajmëroi se me gjithë momentin e vështirë, Italisë nuk mund t’i zihet besë.

“Jam italian, por jam krenar që jam trajner i Shqipërisë. Do të jem në fushë me ekipin tim dhe do të më lumturonte që djemtë t’i dhuronin vetes një kënaqësi të madhe përballë Italisë”, deklaroi Panucci.

“Jam i bindur se vlejnë më tepër nga sa mendojnë. Jam i bindur që do të bëjmë një ndeshje shumë të mirë. Pres një Itali të zemëruar, sepse po kritikohet shumë. Nuk duhet t’i zëmë besë kundërshtarëve, nga të cilët presim të luajnë në mënyrë serioze. Megjithatë, ne duam që të kënaqemi duke arritur një rezultat pozitiv”, shtoi mes tjerash trajneri italian. /Express