23:06 / E Hënë, 16 Korrik 2018

Japin mbrojtjen e tyre të akuzuarit për vjedhje të veturës dhe grabitje në pompë të benzinës

Në Gjykatën Themelore të Gjakovës, u mbajt shqyrtimi gjyqësor me prezentimin e plotësimit të ekspertizës në lidhje me veprën penale të vjedhjes dhe grabitjes.

Në sallë të gjykimit nuk ishin të pranishëm të dëmtuarit, Faton Xërxa, Afrim Gjokaj dhe Zgjim Kurti.

Lorik Beqiraj, Jetmir Ukëhaxhaj dhe Shkumbin Morina po akuzohen nga Prokuroria e Gjakovës për dyshimin se kanë kryer vepër penale të vjedhjes së rëndë dhe të grabitjes.

I akuzuari Lorik Beqiraj deklaroi se do të mbrohet në heshtje dhe se nuk dëshiron të përgjigjet në asnjërën nga pyetjet e palëve.

Zyrtari i Agjencionit të Kosovës për Forenzike-eksperti, Avdush Jashari, sqaroi para trupit gjykues raportin e ekspertimit për periudhën 1 deri 8 dhjetor 2016, të bashkëngjitur me DVD si provë.

“Sa i përket të dy numrave të të akuzuarve, në telefonin  Iphone 5 kanë qenë gjithsej 162 kontakte të regjistruara, janë 4 thirrje të humbura, 16 thirrje të pranuara, 8 thirrje të realizuara, 26 mesazhe të pranuara  ku përmbajtja e tyre gjendet në DVD, ndërsa nga aplikaconi viber kemi gjetur se telefoni iphone i të akuzuarit Jetmir në telefonin samsung duo i të akuzuarit Lorik janë bërë 4 thirrje, 1 thirrje missed call, 1 incomingcall dhe 2 të realizuara, të gjitha këto janë bërë për datat 7-8 dhjetor”, dëshmoi eksperti, Avdush Jashari.

“Mirëpo  për datat 2-3 kur është vepra nuk kemi gjetur thirrje të tjera”, shtoi eksperti Jashari.

Në CD-në  në lidhje më grabitjen e kryer në pompën e benzinës në fshatin Smolicë të Gjakovës, në orën 1:39 minuta vërehet automjeti mercedes pa tabela, ku një person zbret nga makina hyn brenda dhe menjëherë largohet.

Prezent ishin mbrojtësja e të akuzuarit Lorik Beqiraj avokatja Fehmije Zhubi, mbrojtësi i të akuzuarit Jetmir Ukëhaxhaj avokati Genc Juniku dhe mbrojtësi i të akuzuarit Shkumbin Morina avokati Masar Vula.

Gjyqtari paraprakisht njofton të akuzuarit me të drejtat e tyre ligjore lidhur me deklarimin e tyre duke dëshmuar ose duke u mbrojtur në heshtje.

Në mbrojtjen e tij i akuzuari Jetmir Ukëhaxhaxhaj thekson se mbetet pranë deklaratës së dhënë në polici dhe prokurori,duke thënë se natën kritike ka qenë në shtëpi me familjen, mirëpo sot në pyetjen e gjyqtarit se ku ka qenë me datën 2 dhjetor 2016. Ai u përgjigj ndryshe, duke thënë që ka qenë në fshatin Baballoq ose në Prishtinë.

I pyetur nga prokurori i çështjes, Ali Uka, se atë natë a jeni takuar me të akuzuarin Lorik Beqiraj, i akuzuari Jetmir Ukëhaxhaj deklaroi duke thënë se “nuk besoj që jemi takuar”.

Kryetari i trupit gjykues pyeti të akuzuarin, Jetmir Ukëhaxhaj, duke i thënë që ta sqaroj deklaratën e vëllait të tij i cili ka thënë se me datën 2 dhjetor 2016 në mbrëmje rreth orës 22:00h të ka lënë në shtëpi me të dashurën.

“Nuk kam përgjigje për këtë dhe kërkoi nga Loriku që të flas e jo të mbrohet në heshtje”, deklaroi i akuzuari Jetmir Ukëhaxhaj.

Gjykimi vazhdoi me mbrojtjen e të akuzuarit Shkumbin Morina, i cili theksoi se “unë nuk kam pasur asnjë kontakt me asnjërin nga dy të akuzuarit në natën kritike kur ka ndodhur rasti, unë kam punuar në servisin “Driloni” rreth 5 vite, mirëpo kur ka ndodhur ngjarja nuk kam qenë duke punuar aty”.

Në pyetjen e avokatit Genc Juniku, a ju kujtohet se kush kanë qenë oficerët policor kur keni dhënë deklaratë në polici.

“Më duket se kanë qenë Gëzim Biblekaj dhe Albert Hoxha, të cilët më kanë maltertuar-rrahur duke më thënë pranoje këtë vepër se ke qenë me ta. Unë atëherë nuk kam pasur mbrojtës”, ka thënë ai.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit me datën 2 dhjetor të vitit 2016, me qëllim që vetit t’i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm pasi që janë marrë vesh mes veti dhe kanë ndarë rolet, të njëjtit i marrin pasurinë e të dëmtuarit Faton Xërxa.

Në aktakuzën e Prokurorisë thuhet se i pandehuri Lorik Beqiraj, huazon një automjet të tipit “Tojota” dhe bashkë me dy të akuzuarit tjerë shkojnë tëk autolimari “Driloni”, pronë e Fatos Xërxës.

Ata më pas, gjithnjë sipas aktakuzës duke përdorur forcën i hapin dyert e punëtorisë dhe marrin automjetin e tipit “Mercedes A-Klas” me tabela të shtetit gjerman, i cili ishte në riparim dhe më pastaj largohen në drejtim të panjohur, duke i shkaktuar dëm material të dëmtuarit në vlerë prej 4000 euro.

Në aktakuzë sqarohet se i njëjti automjet është gjetur nga ana e policisë dhe është sekuestruar.

Aktakuza e Prokurorisë më tutje shpjegon se më datën 3 dhjetor të vitit 2016, të akuzuarit nën kanosjen e armës dhe të maskuar i marrin pasurinë e të dëmtuarit Zgjim Kurti, punëtor në pompën e derivateve “Petrol Company”- Gjakovë.

Paratë sipas aktakuzës, iu kërkuan Zgjim Kurtit nga njëri nga të pandehurit nën kërcënimin e armës, ndërsa i dëmtuari për këtë arsye detyrohet ti japë shumën prej 220 Eurove.

Të akuzuarit pastaj ishin larguar në drejtim të panjohur.

Me këto veprime dyshohet se të akuzuarit kanë kryer veprën penale të vjedhjes së rëndë dhe veprën penale të grabitjes.

Gjyqtari njoftoi palët se ishte e paraparë që gjykimi i të akuzuarve të bëhet edhe ditën e nesërme, mirëpo prokurori Ali Uka propozoj që rrjedha e procedurës  të bëhet pas disa ditësh, pasi që për fjalën përfundimtare nevojitet 2-3 kohë.

Pasi që këtë propozim nuk e kundërshtuan as mbrojtësit e të akuzuarve, gjyqtari caktoi seancën për fjalën përfundimtare për datën 20 korrik./Kallxo.com/

Mos i humb