16:27 / E Premte, 12 Tetor 2018 / indeksADMonline

Jashari e Lushtaku vizitë në Bursa të Turqisë, pritet bashkëpunim në shumë fusha!

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari dhe nënkryetari Nuredin Lushtaku, të shoqëruar edhe nga drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, z.Fazli Kadriu, kanë qëndruar në Bursa të Turqisë, ku kanë realizuar vizita të shumta në institucionet e atjeshme lokale publike dhe në institucione afariste.

Fillimisht janë pritur nga kryetari i Komunës Osmangaz të Bursës, Mustafa Dündar dhe bashkëpunëtorët e tij, me të cilin kanë diskutuar rreth bashkëpunimit në mes dy komunave tona në shumë fusha.

Këtë vizitë kryetari Jashari e ka vlerësuar mundësi të mirë për të shkëmbyer përvojat më të mira të zhvillimit komunal, sidomos nga ana turqve, megjithatë ai ka thënë se i njoftoi me planet tona të zhvillimit të komunës sonë, siç është Parku i Biznesit në Marinë, pastaj për projektet të tjera madhore të zhvillimit ekonomik, si dhe kushtet që ofrojmë për bizneset që investojnë në komunën tonë.

“Kam marrë premtim për përkrahje dhe investime në Komunën e Skenderajt. Kemi pas edhe takime dhe aktivitete të tjera, siç është takimi me përfaqësuesit e Shoqatës së Bizneseve Balkanturksiad, e cila numëron mbi 400 biznese të fuqishme nga shtete të ndryshme të Ballkanit, ku kam shfrytëzuar çdo takim që t’u flasim për kushtet, lehtësirat dhe potencialin që ofrojmë si Komunë e Skenderajt, sa u përket investimeve të huaja në Parkun e Biznesit”, është shprehur kryetari Jashari.

Kjo shoqatë ka për qëllim forcimin e marrëdhënieve ekonomike sociale dhe kulturore në mes të Bursës dhe shteteve të Ballkanit përfshirë edhe Kosovën.

Janë takuar gjithashtu edhe përfaqësuesit e Shoqatës tjetër të bizneseve Rumelisiad, e cila numëron rreth 300 biznese nga 11 shtete të Ballkanit, përfshirë edhe biznese nga Kosova, e që numri të punësuarve është 30 mijë, pastaj takime kanë pas me udhëheqës të Shoqatës Musiad në Bursa, ku është diskutuar për format dhe mundësitë e bashkëpunimit mes Skenderajt dhe Bursës.

Në të gjitha këto takime kryetari Jashari ka dhënë garanci për lehtësira për bizneset që investojnë në komunën tonë, si dhe i ka ftuar për vizitë në Skenderaj, për t’u bindur me kushtet, lehtësirat dhe potencialin që ofrojmë për investimet e huaja në vendin tonë.

Kryetari Jashari i ka falënderuar Fatmir Murtezanin e Hafuz Sabit Eminin nga Shoqata El – Hilal nga Shkupi, si dhe Enver Drenicën nga Drenasi e në veçanti Bajram Vardar nga Bursa, që mundësoi vizitën në Turqi.​/Indeksonline/