19:51 / E Premte, 19 Prill 2024 / FR

Jashari informon vendet e QUINT-it në Serbi për arrestimin e Durakut

Ambasadori i Kosovës në Serbi, Jetish Jashari ka informuar vendet e QUINT-it të akredituara në Serbi në lidhje me arrestimin e Sadik Durakut nga policia serbe në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi në Batrovci

Në një përgjigje për Klankosova.tv, Ministri e Punëve të Jashtme ka thënë se Jashari gjithashtu i ka dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për të marrë informacionet rreth arsyeve të arrestimit të Durakut

“Ambasadori Jashari i ka dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për ta marrë informacionet rreth arsyeve të arrestimit të z. Duraku, si dhe ofrimin e detajeve tjera relevante përkatëse. Ambasadori Jashari po ashtu ka komunikuar me përfaqësitë diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi, të cilët i ka njoftuar lidhur me rastin”, ka thënë MPJ për Klankosova.tv.

Ndryshe, Duraku është arrestuar nën pretendimet se i njëjti si ish-pjesëtar i UÇK-së, ka kryer krime luftë kundër popullatës serbe gjatë viteve 1999.

Ministria e Jashtme konfirmon po ashtu raportimet e klankosova.tv, se Duraku ka dalë sot para gjykatës në Beograd, ndërsa dhe të njëjtit tashmë i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.