Varroset Florim Haxhidema, Gjykata pritet të vendosë për 24-vjeçaren e dyshuar
Në varrezat e fshatit Manastirc të Ferizajt, të martën në mesditë, iu dha lamtumira e fundit Florim Haxhidemës, 32-vjeçarit që u vra me armë zjarri.
Ndërkohë, Arjeta R., 24 vjeçe, e cila dyshohet se e qëlloi për vdekje, vazhdon të mbahet në ndalim, shkruan IndeksOnline.
Gjykata pritet të vendosë për kërkesën e Prokurorisë që ndaj saj të caktohet masa e paraburgimit.
Sipas autoriteteve, ngjarja ndodhi në një banesë me qira në rrugën “Sejdi Sejdiu” në Ferizaj, ku e dyshuara kishte ardhur për pushime nga Franca së bashku me familjen.
Hetimet paraprake tregojnë se mes dy të rinjve, të cilët raportohet se ishin në një lidhje dashurie, kishte shpërthyer një konflikt që më pas u shndërrua në përleshje fizike.
Prokuroria dyshon se gjatë konfliktit, 24-vjeçarja mori armën, e cila ishte në pronësi të viktimës, dhe qëlloi një herë në drejtim të tij, duke i shkaktuar plagë fatale në kokë.

Në momentin e ngjarjes në banesë ndodheshin edhe prindërit e të dyshuarës.
Babai i saj ishte ndaluar fillimisht nga Policia, por më vonë u lirua me urdhër të prokurorit, pasi hetimet e deritanishme e identifikuan vajzën si të dyshuarën kryesore për rastin.
Rasti vazhdon të jetë nën hetime./IndeksOnline/

