Javë vendimtare për të ardhmen e Nico Paz, Real Madrid kërkon të ndryshojë marrëveshjen me Comon
Como dhe Real Madrid pritet të zhvillojnë një takim javën e ardhshme për të diskutuar të ardhmen e mesfushorit të talentuar, Nico Paz.
Sipas raportimeve të fundit, vetë lojtari është i prirur të vazhdojë karrierën te skuadra italiane, ku ka gjetur hapësirat e nevojshme për t’u zhvilluar dhe për të luajtur rregullisht, shkruan IndeksOnline.
Megjithatë, vendimi përfundimtar mbetet në duart e Real Madrid, i cili vazhdon të ketë kontroll të rëndësishëm mbi të ardhmen e futbollistit.
Klubi madrilen raportohet se synon të rishikojë dhe ristrukturojë marrëveshjen aktuale me Comon, për të siguruar kushte më të favorshme në lidhje me të drejtat e lojtarit.
Nga ana tjetër, drejtuesit e Comos janë të kënaqur me marrëveshjen ekzistuese dhe nuk shohin arsye për ndryshime, duke mbështetur vazhdimësinë e projektit me Nico Paz si një nga figurat kyçe të skuadrës.
Takimi i javës së ardhshme pritet të jetë vendimtar për të qartësuar të ardhmen e talentit argjentinas, i cili mbetet një nga lojtarët më premtues të brezit të tij./IndeksOnline/

