21:26 / E Diele, 25 Shtator 2022 / AR

Javën që vjen, Kurti nënshkruan udhëzimin administrativ për licencimin e profesionistëve shëndetësorë të huaj

Sot është mbajtur mbledhja e dytë e Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi, i udhëhequr nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Në këtë mbledhje kryeministri theksoi urgjencën e reformave të thella si dhe veprimeve të menjëhershme në përmirësimin e shërbimeve.

Zyra e Kryeministrit njofton se Kurti, javën që vjen, do të nënshkruajë Udhëzimin Administrativ për Licencimin e profesionistëve shëndetësorë të huaj.

“Për të plotësuar nevojat e pacientëve në institucione publike shëndetësore, Kryeministri Kurti, javën që vjen, do të nënshkruajë Udhëzimin Administrativ për Licencimin e profesionistëve shëndetësorë të huaj. Me këtë Udhëzim, do të lehtësohen procedurat e licencimit të profesionistëve të mërgatës, si dhe të atyre të trojeve shqiptare.

Në afatshkurtër komplementariteti me profesionistë nga mërgata e rajoni do të plotësojë ofrimin e shërbimeve që mungojnë ose rrezikojnë të mos ofrohen. Teksa njëkohësisht institucionet punojnë me ritëm të shtuar për trajnimin dhe aftësimin e profesionistëve vendas për të ofruar këto shërbime në të ardhmen”./Indeksonline/