23:17 / E Enjte, 10 Janar 2019 / indeksADMonline

“Jo e largët dita kur gjysma e qeverisë në Tiranë do të përbëhet nga kosovarët”

Gent Cakaj nuk arriti të dekretohej si Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, e për këtë ka reaguar edhe ish- ministri i Diaspores, Valon Murati.

Sipas tij, gjithë kjo situatë është produkt i betejës së brendshme politike në Tiranë, shkruan Indeksonline.

Madje, kryetari i LB-së ka thënë se nuk do të jetë e largët dita kur gjysma e qeverisë në Tiranë do të përbëhet nga kosovarët.

Murati ka thënë se Tirana zyrtare duhet t’i qëndrojë përkrah Prishtinës ashtu siç tradicionalisht ka bërë çdoherë dhe rrjedhimisht ministri i punëve të jashtme i Shqipërisë nuk mund të jetë bartës i këtij procesi.

Shkrimi i tij i plotë në Facebook:

Mosdekretimi i Gent Cakajt për Ministër të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, është produkt i betejës së brendshme politike në Tiranë. I pështirë ekzaltimi meskin i disave në Prishtinë për këtë mosdekretim. Ndërsa sa i përket ridefinimit të kufijve me Serbinë, ai është një proces i cili drejtpërdrejt i takon Kosovës dhe qytetarëve të saj. Tirana zyrtare duhet t’i qëndrojë përkrah Prishtinës ashtu siç tradicionalisht ka bërë çdoherë dhe rrjedhimisht ministri i punëve të jashtme i Shqipërisë nuk mund të jetë bartës i këtij procesi. Në anën tjetër po vazhdojë me u habit tashmë që disa muaj se si në Kosovë ka njerëz që më shumë e duan Leposaviqin se Preshevën. E sa për provincialistët e Bllokut në Tiranë dhe provincialistët kosovarista që iu gëzuan mosdekretimit të Gent Cakajt, ekzaltimin nuk do ta kenë të gjatë. Nuk do të jetë e largët dita kur gjysma e qeverisë në Tiranë do të përbëhet nga kosovarët.