15:27 / E Mërkurë, 12 Qershor 2019 / indeksADMonline

Jovic prezantohet si madrilen

Luka Jovic u prezantua si lojtari më i ri i Real Madridit, ku mijëra tifozë madrilenë ishin mbledhur në “Santiago Bernabeu”, për të ndjekur nga afër prezantimin e talentit serb.

Në konferencë për shtyp Jovic foli për herë të parë si futbollist i Real Madridit dhe rrëfeu emocionet e kësaj dite, por u dallua për një qendrim serioz dhe i palëkundur në mimikë dhe fjalët që tha, edhe pse është thjesht një djalosh 21 vjeç.

Emocionet e para: “Jam djali më i lumtur në botë. Jam shumë i lumtur që do të përfaqësoj klubin më të madh në botë. Shpresoj të arrij pritshmëritë.”

Ofertat: “Nuk kam dijeni për asnjë ofertë tjetër, agjenti im kujdeset për këtë pjesë.”

Historia me fanellën: “Është e vërtetë që kam fjetur me fanellën e Real Madridit, ma ka bërë dhuratë një mik i babait tim. Që i vogël isha i afeksionuar me Real Madridin, ashtu si shumë fëmijë të tjerë.”

Objektivat: “Nuk do të përcaktoj numrin e golave, do të jap më të mirën dhe do të tregoj se çfarë jam i aftë të bëj.”

Idhujt tek Reali: “Benzema është një nga sulmuesit më të mirë në botë, kur ai doli në skenë isha 11 vjeç dhe shpresoj të mësoj shumë nga ai. Ronaldo është idhulli im, por tani i kam kolegë të gjithë dhe nuk do të them emra të përveçëm, sepse nuk dua të krijoj pakënaqësi.”

Çmimi dhe trofeu i ëndërruar: “Nuk i kushtoj rëndësi çmimit që kam kushtuar, jam i fokusuar për të luajtur. Do të më pëlqente të fitoja Champions Leaguen.”