23:31 / E Enjte, 26 Shtator 2019 / indeksADMonline

Ju bien flokët me grushte? Shkaktare stina e vjeshtës

Kur vjen vjeshta dhe stina ndërron, edhe trupi i njeriut shoqërohet me shumë ndryshime të cilat shpeshherë na bëjnë të ndihemi keq.

Por sigurisht që organizmi ynë ka nevojën t’i përshtatet me pak ngadalësi ndryshimeve ndaj edhe reagon në të tillë formë.

Rënia e flokëve në këtë stinë është e ngjashme me rënien e gjetheve të vdekura të pemëve. Pra, edhe flokët bien, sepse përsërisin ciklin e tyre të përvitshëm (lindja e një floku të ri, rritja, faza e maturimit dhe vdekja).

Këtë proces e përshpejton një faktor kryesor: dielli. Kështu, gjatë pranverës dhe verës, rrezet e diellit rrisin sekretimin e hormoneve përgjegjëse për rritjen e flokut dhe shkaktojnë një reaksion të ngjashëm me atë të bimëve. Një periudhë prej gati 4-6 javësh mund të fillojë në fund të gushtit dhe të zgjasë deri në fund të nëntorit. Pas kësaj periudhe, gjithçka kthehet në normalitet.

Por norma e rënies së flokëve ndryshon nga një person tek një tjetër, ndaj është e rëndësishme të kuptosh, nëse kjo rënie është sezonale apo duhet të shqetësohesh e të konsultohesh me mjekun për të marrë trajtimin e duhur.

Si ta kuptosh që është thjesht një rënie sezonale?

Për të kuptuar nëse është vetëm një rënie sezonale, bëj këtë test të thjeshtë:

Mbaji flokët të palarë, të paktën për tri ditë. Kalo gishtat midis flokëve nga rrënja deri në majë. Vëri mënjanë flokët e rënë. Përsërite këtë veprim të paktën pesë herë, duke e kaluar dorën tek të gjitha pjesët.