18:51 / E Diele, 25 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Juncker nis vizitën zyrtare në Tiranë

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i shoqëruar nga komisionari evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Johannes Hahn, ndodhen në Tiranë në kuadër të turit ballkanik, ku po prezanton strategjinë e zgjerimit dhe rikonfirmojnë mbështetjen për integrimin e rajonit në BE.

Juncker dhe delegacioni që e shoqëron mbërritën në kryeministri, ku po vijon takimi me kryeministrin Edi Rama dhe rreth orës 19:15, do të dalin në një konferencë të përbashkët shtypi për gazetarët.

Zyrtarët e lartë evropianë nesër do të takojnë edhe presidentin Ilir Meta, ndërsa komisionari Hahn do të ketë një takim me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Udhëtimi i tyre do të vijojë ne Beograd, Podgoricë, Sarajeve dhe Prishtinë, ndërsa do të mbyllet në Sofje, në kryeqytetin e vendit që ka presidencën e radhës se Bashkimit Evropian për këtë 6 mujor.