09:22 / E Enjte, 12 Maj 2022 / AR

Kadriaj: Takimet që po i bën Kurti në SHBA nuk i duhen Kosovës, mund t’i kishin bërë edhe ministrat

Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj ka thënë se vizita e kryeministrit Albin Kurti në SHBA nuk është ajo që i duhet Kosovës.

Ajo për Indeksonline thotë se është e palogjikshme se si ka mundur Kurti të ketë takime të nivelit të tillë, duke shtuar se kjo vizitë është proklamur si e rëndësishme.

“Vizita e Kurtit është proklamuar shumë si një vizitë që do të ketë takime të rëndësishme, ndërsa ajo që po shohim është se po takohet me disa biznesmenë dhe biznese të caktuara e mua po më vjen keq se kjo nuk është ajo që i duhet Kosovës dhe nuk janë vizita të nivelit që është dashur të ketë kryeministri i Kosovës”.

Sipas Kadrijajt, këto takime mund t’i kishin bërë edhe ministrat.

“Ne kemi menduar nga ajo që është proklamuar se do të ketë vizita në Departamentin e Shtetit e do të ketë takime me senatorë dhe administratën e Biden dhe unë po e shoh të palogjikshme se si ka mundur të shkojë në një nivel të tillë. Këto vizita që po i bën Kurti kanë mundur të kryhen edhe nga ministra, p.sh. ministrja e Zhvillimit Ekonomik, ministri i Financave.

Fatkeqësisht nëse në ditët në vijim nuk do të ketë asnjë takim të nivelit që duhet të ketë Kurti atëherë lë për t’u dëshiruar kjo vizitë”, përfundoi deputetja./Indeksonline/