12:01 / E Diele, 15 Tetor 2017 / indeksADMonline

Kajtazi: Urdhërdhënës i sulmit ndaj meje është Milaim Zeka

Vehbi Kajtazi ka folur pasi Prokuroria ka ndalur për 48 orë Fitim Thaqin, të dyshuarin kryesor, që e sulmoi, të premten në një lokal në Prishtinë. Ka dhënë versionin e tij se Thaqi është vetëm ekzekutuesi ndërsa urdhërdhënës dhe ideator i sulmit është ish-gazetari, tani deputeti, Milaim Zeka.

Themeluesi i portalit “Insajderi” thotë se deputeti i NISMA-s i përfshirë në mashtrim ka zgjedhur sulmin fizik si metodë për t’i ndalur shkrimet që flasin për mashtrime të Zekës me punësime.

Sidoqoftë, Kajtazi thotë se drejtësia duhet të mos ndalet vetëm te personi që e pranoi se kreu sulmin.

Thotë se drejtësia shkon në vend kur të zgjerohen hetimet dhe të dënohet edhe urdhërdhënësi.

Në krejt këtë situatë, Milaim Zeka, pas rrahjes së Kajtazit, kishte reaguar duke thënë se nuk qëndron prapa sulmit.

Por, këtë rrëfim nuk e beson Vehbi Kajtazi.

Gazetari i “Insajderit” e ka kuptuar të shtunën mbrëma se Fitim Thaqi kishte punuar si shofer i Milaim Zekës.

Ai për Express ka treguar se këtë informacion e ka marrë nga avokati i familjes së Azem Sylës, i cili ka thënë se Thaqi s’ka lidhje me ish-komandantin e Përgjithshëm të UÇK-së.