14:35 / E Martë, 05 Korrik 2022 / LB

Kamberi: Themelimi i institucioneve të reja në Serbi të shoqërohet me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë

Deputeti shqiptar i Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberi ka thënë se themelimi i Kuvendit dhe Qeverisë së re të Serbisë të shoqërohet me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, në përputhje me Politikën e jashtme të Bashkimit Europian.

Kamberi në Facebook ka shkruar se si koalicion i shqiptarëve të luginës është në komunikim me ish partnerin e legjislacionit të kaluar Partinë e Aksionit Demokratik nga Sanxhaku, për ta vazhduar bashkëpunimin dhe për ta zgjeruar me partner të tjerë të mundshëm drejt themelimit të Grupit Parlamentar.

Ai ka paralajmëruar se ditëve në vijim do t’i paraqesin kërkesat tona konkrete për Qeverinë e re të Serbisë.

Postimi i plotë i Kamberit:

THEMELIMI I KUVENDIT DHE QEVERISË SË RE TË SERBISË TË SHOQËROHET ME VENDOSJEN E SANKSIONEVE NDAJ RUSISË, NË PËRPUTHJE ME POLITIKËN E JASHTME TË BASHKIMIT EVROPIAN

Sot, Komisioni Republikan Zgjedhor në Beograd ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 3 prillit 2022 në Serbi.

Partia kryesore në pushtet, Partia Progresiste e Serbisë (SNS) e Presidentit Vuçiq do të ketë 120 mandate nga gjithsej 250. Partneri i saj tradicional, Partia Socialiste e Serbisë (SPS) e Ivica Daçiqit – 31 mandate.

Subjektet me vokacion të hapur të ekstremit të djathtë tashmë kanë bashkërisht 35 deputetë.  

Listat që garuan si pakica kombëtare vetëm 13 deputetë.

Si Koalicion i Shqiptarëve të Luginës jemi në komunikim me ish-partnerin tonë të legjislacionit të kaluar, Partinë e Aksionit Demokratik (SDA) nga Sanxhaku, për ta vazhduar bashkëpunimin dhe për ta zgjeruar me partnerë të tjerë të mundshëm drejt themelimit të një Grupi Parlamentar. 

Ditëve në vijim do t’i paraqesim kërkesat tona konkrete për Qeverinë e re të Serbisë.

Siç jemi zotuar, jo për t’u bërë pjesë e koalicionit të ri qeveritar, por si parakusht për ta votuar ose jo kabinetin e ri qeveritar.

Këto kërkesa do t’i bëjmë publike para mbajtjes së seancës plenare.   

Themelimi i Kuvendit dhe Qeverisë së re të Serbisë duhet të shoqërohet me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, në përputhje me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.

Ky vendim është në interes të paqes, demokratizimit, zhvillimit e stabilitetit të vendit dhe rajonit.