23:58 / E Enjte, 25 Prill 2019

Kampioni i Botës drejt shkarkimit, në skenë emri i De Biasit

Pas 2 vitesh pushim,  ish-trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi është gati të rikthehet si protagonist.

62 vjeçari është lakuar shpesh në media për të marrë drejtimin e skuadrave të ndryshme, por pista e fundit mund të lëkundë dëshirën e tij.

Sipas asaj që shkruan “Tuttomercato.web”, Gianni de Biasi pëlqehet shumë nga skuadra e Hellas Verona. Ekipi, i cili militon në Seria B është shumë larg ngjitjes në mënyrë direkte në elitë dhe shkarkimi i Fabio Grossos shihet si vendimi i duhur.

Dueli deciziv pritet të jetë ai ndaj Pescarës dhe në rast të një disfate largimi i ish-kampionit të Botës do të ishte i pashmangshëm. Në listën e dëshirave të veronezëve bën pjesë edhe Alfredo Aglietti, por Gianni de Biasi është ai që bind më shumë.