14:25 / E Premte, 20 Tetor 2023 / L K

Kampioni i botës me Argjentinës del pozitiv në doping

Papu Gomez rezulton pozitiv me doping. Pas francezit Pogba, një tjetër rast trondit Serie A Italiane. Siç raporton e përditshmja spanjolle “Relevo”, argjentinasi pritet të dënohet me 2 vite pezullim nga çdo aktivitet sportiv, pasi rezultoi pozitiv gjatë një kontrolli antidoping që u bë gjatë kohës që lojtari ishte pjesë e Sevillas në La liga.

Më tej shokët e tij të skuadrës kanë deklaruar se Gomez ka qenë në gjendje gripale dhe ka konsumuar shurupin e fëmijës së tij, por pa lejen e stafit mjekësor. E njëjta gazetë bën me dije se rezultatet e testit erdhën mesditën e së premtes.

35-vjeçari iu bashkua Monzës pak javë më parë dhe ka luajtur në dy ndeshje me skuadrën italiane këtë sezon. Pezullimi pritet të bëhet zyrtar shumë shpejt, teksa burime pranë argjentinasit konfirmojnë se ai do të apelojë vendimin. Megjithatë vlen të theksohet se nëse apelimi nuk do të merret parasysh, atëherë Papu Gomez mund të varë këpucët në gozhdë.