22:06 / E Shtunë, 18 Janar 2020 / indeksADMonline

Kanalizimi në derë të shtëpisë, vushtrriasit ankohen për erën e rëndë

Kanalizimi në fshatin Stanofc i Epërm në Vushtrri po del të jetë problem shumë i madh për banorët, shkruan IndeksOnline.

Një banor i këtij fshati ka raportuar në IndeksOnline se nga era kundërmuese frikësohen se do të përhapet ndonjë virus.

Ai ka treguar se kanalizimi në këtë pjesë të fshatit është shumë afër shtëpive dhe ata asnjëherë nuk mund të hapin dritaret për shkak të erës kundërmuese.

Madje kjo paraqet rrezik edhe më të madh, sipas tij, pasiqë nuk ka drita ndriçuese.

“ Në mbrëmje unë çdo natë kthehem rreth orës 8-9 në shtëpi dhe rrezikohem për shkak të mos ndriçimit të rrugës. Ka shumë fëmijë që shkojnë në shkollë në këmbë kalojnë afër kësaj rrjedhe dhe është era aq e rëndë sa mundet edhe të sëmuremi”, ka thënë ai.

Banori për IndeksOnline ka thënë se ka lajmëruar edhe kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, por asnjëherë nuk ka marrë përgjigje./IndeksOnline/