10:02 / E Hënë, 03 Tetor 2022 / k.v

Kanë mbetur vetëm edhe pak ditë deri në ditën e shitjes së SHAL 59

Dita e shitjes për Shitjen e Aseteve me Likuidim SHAL 59, do të mbahet me 5 tetor 2022. Kjo shitje përfshinë një numër prej 31 asetesh atraktive në të gjitha rajonet e vendit, në veçanti në rajonin e Prizrenit.

Në rajonin e Prizrenit, në komunën e Prizrenit, Rahovecit dhe Dragashit, ofrohet numri më i madh i pronave për shitje, përkatësisht parcela tokë me sipërfaqe të ndryshme (deri në pesë hektarë), si dhe lokale të sipërfaqeve të ndryshme të përshtatshme për zhvillim të veprimtarive biznesore.

Në rajonin e Pejës kjo shitje ofron për tenderim 9 asete të parcelave bujqësore (me sipërfaqe të mëdha deri në tetë hektarë) me potencial zhvillimi agro-industrial të shtrira në komunat e Gjakovës, Klinës dhe Istogut. Lokale me sipërfaqe të ndryshme ofrohen në qytetin e Mitrovicës, përkatësisht 6 lokale të përshtatshme për zhvillim të veprimtarive afariste. Në rajonin e Prishtinës ofrohen 3 asete, ku përfshihen një lokal në qytetin e Prishtinës, në lagjen Dardania me sipërfaqe prej 116 m2, asetet e Gurëthyesit në Gadime, përkatësisht zyra dhe objekti i depove në sipërfaqe prej mbi 260 m2 si dhe toka me sipërfaqe prej 4350m2 në Pakashticë të Epërme.

Të gjitha këto asete të ndërmarrjeve shoqërore paraqesin mundësi të shkëlqyer për zgjerim të biznesit apo iniciativa të reja biznesore në vendin tonë.

Shpallja publike për këto asete është bërë me 16 shtator 2022, ndërsa dorëzimi i ofertave bëhet me datë 5 shtator 2022. Gjatë kësaj periudhe palët e interesuara e kanë mundësinë që të marrin informata më të detajuara si dhe t’i vizitojnë për së afërmi pronat e ofruara për shitje.

Ofertat e mbyllura për njësitë/asetet që janë në shitje përmes Shitjes së Aseteve me Likuidim nr.59 duhet të dorëzohen në “Sallën e konferencave – Hoteli Grand”, në Prishtinë me datën 5 tetor 2022, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, të shoqëruara edhe nga depozita e ofertës dhe tarifa për paraqitjen e ofertës, ashtu siç është parashikuar për secilin artikull. Kurse hapja e ofertave do të bëhet po të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 12:30.
Për më shumë informata, palët e interesuara mund të kontaktojnë AKP-në, Njësinë për Marketing dhe Marrëdhënie me Investitorë, Rruga “Dritan Hoxha Nr.55”, 10000 Prishtinë, Kosovë.