15:02 / E Hënë, 22 Tetor 2018 / indeksADMonline

Kaosi i ndërtimeve në Fushë- Kosovë – objektet të ngjitura njëra me tjetrën (Hulumtim)

Kaosi i ndërtimeve vend e pa vend në Komunën e Fushë-Kosovës ka marrë përmasat e një katrahure urbanistike. Hapësirat skaj rrugëve kryesore të qytetit janë mbushur me qindra ndërtesa të larta, që jo vetëm ua kanë zënë pamjen, por edhe janë ngjitur me njëra-tjetrën.

Për shkak të afërsisë që ka Komuna e Fushë-Kosovës me Prishtinën, ka bërë që shumë banorë nga vende të ndryshme të Kosovës të vendosen në këtë komunë dhe të blejnë banesa për arsye të çmimit më të ulët.

Banorët dhe shumëkush tjetër që kalon në Fushë-Kosovë e krahasojnë për të keq këtë qytet me Durrësin ku në bregdetin  e këtij tij, ka mijëra ndërtime pa leje të ndërtuara pa kurrfarë kriteri.

Dikur nëpër lagjet e Fushë- Kosovës zinin vend shtëpi të ulëta, të vendosura në rend, duke i përfillur me përpikmëri planet rregulluese të asaj kohe, tashmë këto shtëpi nuk ekzistojnë. Vendin e tyre e kanë zënë ndërtesat e larta ngjitas njëra me tjetrën, me lloj-lloj ngjyrash e lloj-lloj planesh arkitekturore.

Krejt këto ndërtime dhe i gjithë ky kaos urbanistik, po bëhet me leje të institucioneve të vendit, si të nivelit komunal, ashtu edhe të atij qëndror. Indeksonline ka bërë një hulumtim në disa lagje të Fushë-Kosovës ku shihet se nëpër shumë ndërtesa, pa probleme mund të kalosh nga ballkoni në ballkonin përballë ndërtesës tjetër, kjo për shkak të afërsisë së tyre.

Rasti më ekstrem duket të jetë ky ndërtim që ka nisur skaj rrugës “Nënë Tereza”, pra në rrugën kryesore që çon për në Prishtinë. Fillimisht të krijohet përshtypja se ky ndërtim është duke u bërë pa leje, por sapo afrohesh afër vëren se kompania ndërtuese “Naki Trade”, ka vendosur reklamën e kompanisë dhe numrin e lejës 05.nr.259 të lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit e Fushë[-Kosovës më 17.07.2018.

Indeksonline, ka siguruar këtë leje ndërtimore të lëshuar nga Drejtoria e Urbanizimit e Fushë-Kosovës, drejtor i së cilës është Abdullah Prebreza. Emri i këtij projekti quhet “Shumëbanesor me afarizëm, B+P+8”, që do të thotë se me përdhesën, ky objekt do të ndërtohet 10 kate e lartë. Ne i shkuam në zyrë drejtorit të Urbanizimit, Prebreza dhe kërkuam sqarime se në bazë të çfarë kriteresh e ka lëshuar këtë leje kjo drejtori.

Ai nuk deshi të fliste publikisht, por ka thënë se gjithçka është në rregull me këtë leje dhe se ajo në bazë të Ligjit për ndërtime, i plotëson të gjitha kriteret e planit zhvillimor urban të Fushë-Kosovës.

Drejtori i Urbanizimit…, Abdullah Prebreza, arsyetohet duke thënë se ndërtesat bri saj janë të ndërtuara pa leje dhe për ne ato ndërtesa nuk ekzistojnë. Pyetjes sonë se a u pengon kjo ndërtesë banorëve të  ndërtesave fqinje, pasi që kjo ndërtesë siç shihet edhe në foto, në njërën anë është ngjitur me ndërtesën fqinje, ndërsa në anën tjetër është vetëm 1.5 metra larg nga ballkonet e ndërtesës tjetër.

Abdullah Prebeza fajëson banorët e ndërtesave fqinje se ata vetë i kanë fajet, sepse i kanë blerë banesat të cilat nuk kanë leje. Edhe nga ana e brapme, gjithashtu është e ndërtuar një tjetër ndërtesë 10-katëshe dhe për çudi zyrtarët komunalë thonë se gjithçka është në rregull me këtë ndërtim. Në Ligjin për ndërtimet të larta  thuhet se sipërfaqja e ndërtuar duhet të jetë 40%, ndërsa 60 % është e paraparë për parkime dhe gjelbërim, por  kjo ndërtesë as për së afërmi nuk i plotëson këto kritere.

Urbanizmi ia hedhë fajin Drejtorisë së Inspektoratit të Fushë-Kosovës për shakak se nuk ka reaguar kur ishin tejkaluar lejet ndërtimore në dy ndërtesat përskaj objektit të kompanisë “Naki Trade”, që po ndërtohet aktualisht. Ndërkohë, Drejtori i Inpektoratit i Komunës së Fushë- Kosovës, Afrim Krasniqi, thotë se nuk mban përgjegjësi për këto ndërtime, pasi që kur e ka marrë detyren më 2015 këto ndërtesa kanë qenë të përfunduara.

Banorët e ndërtesave fqinje kur kishin nisur punimet në këtë vend, në kushte anonimiteti thonë se pronari i kompanisë u kishte thënë se ky ndërtim do të bëhej veëm dy kate lart, ku do të bëhen objektet afariste. Kur kishin parë se ndërtimet nuk po ndaleshin dhe katet po vazhdonin të shtoheshin, madje duke punuar edhe natën, atëherë banorët patën lajmëruar komunën. Inspektoriati komunal kishte reaguar, duke ia ndalur menjëherë punimet kompanisë dhe vendosur shiritat e sigurisë objektit përreth. Këtë e konfirmoi edhe drejtori i Inspektoratit, Afrim Krasniqi. “Ne kemi reaguar menjëherë dhe ia kemi ndërprerë punimet kompanisë ndërtuese, por pas tri ditësh ne jemi detyruar ta lejonim, sepse pronari na e ka treguar lejën e ndërtimit ku përfshihen edhe katet e larta”. Kryenspektori thotë se kësaj kompanie ia kanë proceduar mbi 10 raste për tejkalim të lejeve ndërtimore në gjykatë, por gjykatat kompetente nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim dhe i ka zvarritur lëndët me qëllim, duke mos marrë asnjë vendim. Sipas kryeinspektorit, gjykatat me qëllim i zvarrisin lëndët për të nxjerrë miratuar vendime të tilla si për shembull, i ka skaduar afati lëndës apo na thonë vetë ne, që t’i sjellim palët e paditura në gjykatë pasi që ata nuk marrin pjesë në proceset gjyqësore.

Banorët e ndërtesës fqinje janë tejet të shqetësuar me këtë ndërtim dhe thonë se kjo ndërtesë po ua vështirëson jetesën në banesat e tyre, sepse ata më nuk do ta shohin diellin me sy. Një nga banorët, thotë se ka pasur një iniciativë për ta bërë një peticion në komunë për ndalimin e ndërtimit të këtij objekti, mirëpo iniciatori është tërhequr pasiqë është ndier i kërcënuar. “Na kena dasht me ba një peticion me ia dërgu komunës po meniherë na kanë kërcnue dhe jena tërhjek s’kena guxu”. Kush ju ka kërcnuar? “Kush ka me na kërcnue, mafia na ka kërcnue, këtu krejt shteti është i lidhun me mafian e ndërtimit këqyre çka na kan ba, këta mos me kanë të lidhun me shtetin nuk guxojnë me ba kësol senesh”, shprehet i shqetësuar banori teksa hap perdën e dhomës, duke treguar me dorë ndërtesën që po i afrohet ballkonit të banesës së tij vetëm pak centimetra më tej. “Ne kur i kemi ble banesat jemi kanë në komunë dhe atje na kanë thanë se nuk do të ndërtohen më në këtë vend objekte të larta, po këqyre tashti Nka janë tu ba, s’ki as ku me u ankue as çka me ba se k’tu ska as shtet as ligj as kurgjo”, shpreht i revoltuar banori. Banorët e dy ndërtesave të ngjitura njëra me tjetrën me përfundimin e këtij objekti jo vetëm që nuk do ta shohin diellin, por as dritën me sy. Jeton Sopa /Indeksonline/