12:39 / E Premte, 19 Korrik 2019

Karateisti më i mirë kosovar vendos të mos garoj më për Kosovën, zgjedh një shtet tjetër

Karateisti më i mirë në Kosovë, Orges Arifi, vendos që mos të garojë për Kosovë, por për një shtet tjetër dhe sipas tij, shumë shpejt do të bëj të ditur edhe emrin e shtetit!

“Nuk jam garues i Federatës së Karatesë të Kosovës. Ditëve në vijim do ta bëj të ditur se për cilin shtet do të garoj.

Pas 4 viteve të mrekullueshme më shumë suksese të arritura dhe shumë sfida, përfundon epoka ime si garues i Kosovës. Arsyet janë të shumta, për një vendim të tillë, të vështirë për mua, por do ta informoj ditëve në vazhdim opinionin për këtë vendim timin.

Ndihem krenar që si garues i deritanishëm i Kosovës që i kam mbrojtur ngjyrat e flamurit më shumë nder ku kam arritur të fitoj shumë medalje dhe tituj. Fitova medaljen e parë evropiane ne historinë e karatesë kosovare.

Gjithashtu isha fitues i Kupës Botërore për U21 dhe fitues i 3 medaljeve ballkanike për senior dhe kontribues i dy medaljeve evropiane në ekipore për regjione. Me rezultatet e arritura në vitin 2016 isha i pari në renditjen botërore në WKF për U 21, dhe tash e sa kohë jam në top 50 në renditjen botërore të seniorëve.

I falënderoj të gjithë ata që ishin afër meje në suksese dhe dështime, gëzime dhe hidhërime.

Falënderim për Klubin e Karatesë Ippon Prishtine dhe trajneren Shqipe Zogiani. Falënderoj gjithashtu të gjithë shokët e reprezentacionit me të cilët kemi kaluar shumë kohë të mrekullueshme së bashku (Herolind Nishevcin, Alvin Karaqi, Elhami Shabani, Blodin Pakashtica, Durim Haziri, Ylli Cenaj, Astrit Halimi dhe Tahir Ajvazi) e shumë të tjerë, mirëpo me këta kemi qene pothuajse gjithmonë së bashku në këto vitet e fundit.

Shfrytëzoj rastin ta falënderoj bordin e Komitetit Olimpik të Kosovës për përkrahje të pa rezervë por edhe që gjithmonë me dolën në mbrojtje duke çmuar kontributin tim dhe të arriturat e mija në karate.
Falënderoj për mirëkuptim z. Ismet Krasniqi”, shkruan Arifi.