22:00 / E Mërkurë, 24 Maj 2023 / AR

Karriera e bujshme e yllit muzikor që u shua sot

Këngëtarja amerikane Tina Turner është ndarë sot nga jeta në moshën 83-vjeçare, duke lënë pas një histori dhe trashëgimi të paharrueshme në muzikë.
 
Tina vdiq në paqe në shtëpinë e saj në Küsnacht, pranë Zyrihut, Zvicër, u shrehën të afërmit e saj.
 
Tina Turner nisi karrierën e saj në vitet 1950, duke kënduar këngë të rrymës Rock and Roll dhe shpejt, u kthye në një superyll. Ajo u cilësua si një ndër këngëtaret më të mira, falë talentit të saj të jashtëzakonshëm. Tina njihet për këngë të fuqishme dhe domethënëse, si dhe për stilin e saj ikonik.
 
Ajo ishte përkufizimi i një vajze guximtare, tipike e viteve ’80, me flokët që binin në sy, minifunde, xhaketa cropped dhe stiletto të larta.
 
Këngëtarja, e cilësuar edhe si “mbretëresha e Rock ‘n’ Roll”, eksperimentoi me stilin e saj, duke kaluar që nga baladat e deri te këngët alla hippie, të cilat flisnin për lirinë individuale.
 
Tina ka fituar 8 çmime Grammy nga 25 nominime dhe shumë këngë të saj si: “Typical Male”, “The Best”, “Private Dancer” dhe “Better Be Good to Me” vijojnë të dëgjohen nga fansa në mbarë botën.