13:41 / E Mërkurë, 23 Shtator 2020 / indeksADMonline

Kastrati për reformën e arsimit në Kamenicë: Nuk bie pre e presionit, nuk i lejoj vetes, që një nxënës të shkojë në shkollë pa shokë klase

Kryetari iKamenicës, Qëndron Kastrati, po raporton para Komisionit për arsim, shkencë, teknologji, inovacion, kulturë, rini dhe sport, në lidhje me reformat në arsim në Komunën e Kamenicës, raporton IndeksOnline.

Ai ka thënë  se komuna që ai drejton ka specifika më shumë se komunat e tjera sa i përket arsimit, kjo pasi që shtrihet në skaj të Kosovës dhe se trendi i largimit të nxënësve është rritur në 40 për qind brenda 10 vjetësh.

Kastrati para anëtarëve të komisionit ka thënë se bëhet fjalë për 25 klasa të cilat kanë nga vetëm 1 nxënës, e në shtatë shkolla ka më pak se 5 nxënës.

Ai tha se çdokush  që do ta kuptonte drejt këtë situatë, do të ishte në favor të kësaj iniciative, të cilën siç tha e dinë që nuk është më popullorja.

“Shpresoj të kuptohem drejt dhe të kem vëmendjen tuaj dhe si kryetar i Kamenicës, jam i vetëdijshëm se ky nuk është vendimi më popullor që mund të merrej, por  të nderuar anëtarë të komisionit, raporti nuk është vetëm procedural, është realizuar në komunikim me ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë, e gjithë kjo për ta mbrojtur nxënësit që të mos e lëmë në mëshirën e fati, e të mos ketë nxënës që shkon në shkollë  në klasë nuk ka as shokë e as shoqe”, tha Kastrati.

Kastrati ka shtuar se është i vetëdijshëm edhe për pengesat që po i dalin gjatë këtij procesi, duke thënë se nuk do të ndalet, me gjithë presionin e sabotimeve që po i bëhen si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë komunës të cilin ai drejton.

“Jam i vetëdijshëm se ju jeni të shqetësuar për situatën në arsim në Kamenicë, andaj e vlerësoj angazhim tuaj dhe interesimin tuaj për këtë . Ne si Komunë e Kamenicës është se po bëjmë zbatimin e ligjit. Nuk jam i verbër dhe i shurdhër dhe jam i vetëdijshëm për sabotimin që po i bëhet iniciativës sonë nga njerëz brenda komunës dhe partive, por nuk i nënshtrohemi këtë presioni. Nuk mund t’i lejojë vetes që një nxënës të shkojë në shkollë pa shokë klase”, nënvizoj ai./IndeksOnline./