19:47 / E Hënë, 05 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Katedralja Notre Dame e Parisit deklarohet për flamurin e Kosovës pasi që u bë lajm botëror

Menaxhmenti i katedrales së njohur të Parisit, Notre Dame është deklaruar lidhur me vendimin për vendosjen e flamurit të Kosovës brenda kishës me rastin e shënimit të 100 vjetorit të përfundimit të Luftë së Parë Botërore.

Siç thuhet, vendimi është parë në bazë të listës të zyrtarëve të ftuar në komemoracion të dielën në Paris, raporton agjencia France Press.

Zëdhënësi i kishës, i cili nuk ka dashur t’i përmendet emri, ka sqaruar se është marrë vendim që të vendosen flamujt e të gjithë atyre që janë ftuar në komemoracion në bazë të listës të marrë nga Pallati Elize, pallati presidencial francez, transmeton Ballkani.info.

“Notre Dame nuk merr qëndrim ndaj askujt e as nuk merret me diplomaci”, ka thënë zëdhënësi.

Në komemoracionin e së dielës në Paris janë ftuar dhjetëra shefa të shteteve dhe qeverive. I ftuar në këtë ngjarje botërore është edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Aty do të jetë edhe kolegu i tij nga Serbia, Aleksandar Vuçiq.

Lajmi për flamurin e Kosovës në Notre Dame u bë i madh pasi që në rrjetet sociale ambasadori i Kosovës në Paris, Qëndrim Gashi, postoi foto ku duket flamuri i Kosovës përkrah flamujve të shteteve botërore.

Kjo bëri që Serbia dhe mediat atje të shpërthejnë me mllef ndaj vendosjes së flamurit, ndërsa u kërkua që Vuçiq mos të udhëtojë fare në Paris për shkak të kësaj.

Megjithatë, Vuçiq sot e pranoi se do të udhëtojë atje dhe se do të takohet edhe me presidentin Thaçi.