10:51 / E Martë, 12 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

“KEDS do të falimentonte po të mos ia faturonte pjesës tjetër humbjet në veri”

“Më 18 maj të këtij viti kam pranuar përgjigje nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, ku janë pranuar humbjet komerciale të KEDS dhe shtesën ku thuhet se me këto humbje nuk do të mund t’ia dilte. Ndërsa, kam kërkuar që të di si është proceduar me këtë çështje”

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, para Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, ka thënë se ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe nga KEDS që të gjitha paratë që u janë faturuar qytetarëve pa të drejtë, për të mbuluar humbjet në veriun e vendit, t’u kthehen.

Ai ka deklaruar se pret që padia që kanë ushtruar pranë Gjykatës Supreme të Kosovës të merret parasysh, rrjedhimisht që qytetarët të dëmshpërblehen dhe të mos përsëritet më kurrë kjo praktikë që e ka dëmtuar xhepin e qytetarit,  Klan Kosova.

“Më 18 maj të këtij viti kam pranuar përgjigje nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, ku janë pranuar humbjet komerciale të KEDS dhe shtesën ku thuhet se me këto humbje nuk do të mund t’ia dilte. Ndërsa, kam kërkuar që të di si është proceduar me këtë çështje”.

“Tutje, kam kërkuar që mjetet që u janë inkasuar qytetarëve, pa të drejtë, t’u kthehen. Jo të gjitha përnjëherë, por në fatura, në shuma të caktuara, në mënyrë që të mos dëmtohet as KEDS-i. Po presim përgjigje nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe KEDS për këtë çështje. Po ashtu, kemi kërkuar që të shfuqizohet vendimi i vitit 2012 i ZRRE-së, për pagesë të këtyre faturave, dhe po presim që Gjykata Supreme ta marrë parasysh padinë tonë”.

Në këto deklarata të Jasharit ka reaguar deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Serbe, Miljana Nikoliq, e cila ka kërkuar të dijë si e ka evidentuar Avokati i Popullit këtë praktikë, duke shtruar pyetjen: “Ku shkruan që kjo pjesë qytetarëve të jugut po u shtohet nga harxhimet e atyre të veriut”?

Jashari, duke u përgjigjur në pyetjen e deputetes Nikoliq, ka theksuar se kjo shumë nuk është e ndarë në faturë, pasi i është bashkëngjitur asaj të harxhimit nga secili qytetar, por se këtë mënyrë veprimi ia kanë konfirmuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, me arsyetimin se në të kundërtën KEDS do të falimentonte.