10:42 / E Premte, 02 Shkurt 2024 / G T

“Kemi pasur ofertë deri në 700 mijë”, drejtori sportiv i Malishevës tregon arsyen pse Hazrollaj s’u largua: Po të ishte evropian?

Skuadra e Malishevës para disa dite përfundoi aventurën përgatitore në Antalya të Turqisë, dhe tashmë fokusi është në Kupën e Kosovës dhe Superligë.

Indeksonline.net ka realizuar një intervistë me drejtorin sportiv, Milaim Berisha dhe ka folur rreth objektivave të klubit këtë sezon, për transferimet e reja dhe për mos-largimin e Drilon Hazrollajt në mini-afatin e janarit.

“Faza përgatitore ka shkuar shumë mirë. I kemi ndarë në dy pjesë, pjesën e parë në Onix në Istog dhe të dytën në Antalya. Qëllimi ka qenë rikuperimi nga faza e parë e garave dhe arritja e nivelit maksimal në aspektin kondicional, pasi skuadra jonë karakterizohet me këtë. Po ashtu kemi testuar lojtarët dhe kemi bërë komponimin e futbollistëve të ardhur gjatë afatit kalimtar”, u shpreh Berisha rreth aventurës në Turqi

Një diskutim i gjerë në sportin vendor gjatë muajit të kaluar ishte e ardhmja e futbollistit, Drilon Hazrollaj. Edhe pse kishte shumë oferta, ai nuk bëri lëvizje te ndonjë skuadër. Por, konfirmohet edhe njëherë se 19-vjeçari mori oferta deri në 700 mijë euro.

“Për Drilonin kemi pranuar oferta rreth 700 mijë euro, që janë vlera të konsiderueshme, por kualiteti i Hazrollajt po të ishte në Europ do të vlerësohej mbi 1 milion euro. Nuk dëshirojmë që atij t’i ulët vlera vetëm se nuk është evropian, por është shqiptar. Presim që të vijë oferta e merituar për të. Dhe ne do ta mbështesim çdoherë rrugën e tij në të ardhmen”, tregoi drejtori sportiv për situatën e një prej lojtarëve më të mirë në Superligë për sezonin 2023/24

Malisheva gjatë merkatos së dimrit ishte aktive duke larguar disa lojtarë në huazim dhe prurje të reja.

May be an image of 3 people, beard, people playing soccer, people playing football and text that says 'GIVOVA'

“Kemi dërguar lojtarë në huazim, me qëllim të zhvillimit të tyre, si Gentriti dhe Ulluri. Prurjet si Rilind Haziri, presim së pari komponimin e tij me skuadrën dhe arritjen e nivelit kondicional të skuadrës tonë, e pastaj shohim nga ai të jep maksimumin. Ne kemi besim se do të bëjë diferencë. Riad Jashari është në fazë për zhvillim, nga ai presim të zhvillojë vetën e pastaj të na ndihmoj në skuadër. Riadi sipas vlerësimit maksimal ka predispozita të një lojtari mbi nivelin e Kosovës”, shtoi Berisha për prurjet e reja

Skuadra e Malishevës të shtunën luan ndeshjen ndaj Feronikelit 74 në Kupën e Kosovës. Kurse synimi sipas drejtorit sportiv për pjesën tjetër të sezonit është arritja në Europë.

“Nga Malisheva presim seriozitet maksimal. Punë shumë precize dhe me përkushtim, vlerësim maksimal për çdo kundërshtarë. Të njëjtën kohë respekt për vetën, ne kemi kualitet shumë të lartë dhe qëllimi është të luajnë në Europë”, përfundoi Berisha

Kujtojmë që pas 18-xhirosh në Superligë për gjysmë-sezonin e parë, Malisheva grumbulloi 29 pikë dhe gjendet në pozitën e 4-të./Indeksonline/

May be an image of 11 people, people playing football, people playing soccer and text