11:28 / E Martë, 27 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Këngëtarët me të hyra minimale nga Youtube

Një numër i madh këngëtarësh vrapojnë për të rritur klikimet e tyre gjatë plasimet të videoklipeve. Por përfitimet nga kanali Youtube nuk janë edhe aq të mëdha.

Nëse bëhet krahasimi me të kaluarën del se më shumë kanë fituar me shitjen e CD-ve sesa  nga Youtube.Pavarësisht se në vitet e 90-ta kanë pasur probleme me piratërinë, këngëtarët vazhdojnë të kenë probleme të ngjashme edhe në kohën e digjitalizimit, ku jo rrallë herë ka pasur akuza për plagjiaturë. E sikur të mos mjaftonte kjo, Kosova nuk ka as lidhje direkte me Youtube, gjë që bën që këngëtarët të kenë përfitime minimale.Këngëtari Fahrush Azemi thotë se krahasuar me periudhat e mëhershme, nga plasimi i produkteve muzikore në tregun digjital, fitimi është shumë i vogël, për të mos thënë se nuk ka fare fitim.“Për shkak të angazhimeve të shumta që kam pasur, nuk kam luftuar që të jem në majën e shitjes ose të të bërit biznes. Më tepër kam bë muzikë për qejfi. Këngëtarët e tjerë më herët, me sa e di, kanë pas përfitime më tepër. Kurse krahasuar me periudhën e tanishme e di se përfitimet janë minimale ose gati se zero”, theksoi ai.

Azemi tha se edhe pse në krahasim me të kaluarën, tash është më lehtë që të plasohen produktet muzikore në treg, këngëtarët nuk shpërblehen aspak për investimet që bëjnë.Madje për këtë ai thotë se as nuk synon që të fitojë përmes ‘Youtube’.

“Nuk është e vështirë me e ‘upload’ këngën dhe me e hedhë në Youtube. Janë probleme tjera, të cilat me të hyrat përmes klikimeve po shkojnë në drejtime të tjera, jo me shpërblye aq shumë sa ne investojmë në produktin që e lansojmë. Me thënë të drejtën unë nuk jam ai këngëtari i klikimeve milionëshe, unë kam klikime modeste. Them të drejtën unë më shumë e shfrytëzoj për tu lansuar për tu parë nga audienca sesa për të fituar”, tha ai.    Edhe këngëtari Beni Baksi, në një prononcim për KosovaPress bëri të ditur se në Youtube klikimet po paguhen shumë pak.

“Tash përfitime ka pak. Sigurisht se edhe në youtube, faktikisht klikimet që bëhen brenda Kosovës janë shumë të pakta, edhe ato që janë, nuk numërohen si reklamë, si para. Duke e ditë se në Kosovë ata që dëgjojnë janë më së shumti kosovarë, ose shqiptarë në përgjithësi dhe ka pak klikime që paguhen”, u shpreh ai.Edhe për producentin Blerdi Malushi, humbjet janë më të mëdha në kohën e digjitalizimit.Sipas tij, janë vet këngëtarët ata që i kanë ngatërruar gjërat, pasi që po blejnë klikime prej të cilave nuk fitojnë asgjë.

“Aspak nuk është fitimi më i madh. Tash është humbja më e madhe për shkak se po shikojnë se si të blejnë klikime. Me anë të blerjes së klikimeve ti nuk ke fitim. Qysh mundet një këngëtar me i pas 30 milionë klikime, kur ne as 7 milionë shqiptarë nuk jemi. Këto janë ato thashethemet e këngëtarëve, të cilët mundohet të bëhen yje duke blerë klikime”, tha ai.

Por ndryshe mendon këngëtari Mentor Mripa. Ai tregon  për KosovaPress ka theksuar të mirat që sjellë youtube.Mundësia që Youtube ofron që individi të bëjë popullaritet, sipas tij nuk ka të paguar. E kjo siç thotë Mripa, bëhet edhe më e favorshme kur dihet se Youtube ofron mundësin për të përfituar, edhe pse jo shumë.“Nuk e di pse mund të thuhet se e kanë vështirë, sepse mendoj se digjitalizimi duke i pasur parasysh të gjitha të mirat që i sjellë, mendoj se nuk e di se pse mund ta kenë më vështirë. Ndoshta mund ta kenë më vështirë krijuesit ose artistët, që të themi më saktë, duke u ballafaquar me njerëz të cilët përcaktojnë muzikën çfarë ata duhet ta bëjnë, e kështu me radhë. Sepse nuk e di se çfarë vështirësish mund të sjellë Youtube, kur përmes Youtube, krijimet tua popullarizohen dhe ka forma të ndryshme edhe për të përfituar. Pra, jo ndonjë fitim i madh të kuptohemi”, theksoi ai.

Ndryshe, shumica e këngëtarëve të kontaktuar nga KosovaPress kanë deklaruar se një prej problemeve kryesore për këtë çështje mbetet mungesa e zbatueshmërisë të ligjit për mbrojtjen e të drejtave të autorit.