14:23 / E Hënë, 10 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Si çdo vit edhe këtë herë këngëtarët e pakënaqur me ‘Këngën Magjike’

Festivali ‘Kënga Magjike’ edhe këtë vit nuk ka kaluar pa reagime dhe polemika në mes këngëtarëve pjesëmarrës por edhe kritikëve.

Kjo për shkak të natyrës që ka ky festival, ku fituesi përzgjidhet nga vlerësimi me pikë që këngëtarët pjesëmarrës i japin njëri –tjetrit.

Fitues i çmimit të parë ishte Flori Mumajesi me këngën ‘Plas’, këngë kjo që pavarësisht që u vlerësua mjaft mirë, nuk kaloi edhe pa kritika.

Më të zëshëm ndaj këtij vlerësimi ishin fansat e këngës ‘Psikopatja jote’ e interpretuar nga Fifi dhe MC Kresha, të cilët u vlerësuan me çmimin e publikut dhe vendin e tretë në festival.

E Fifi ka reaguar pas kësaj, duke shkruar në Instagram se Flori e meritonte me plot dinjitet.

Më e revoltuar ishte treguar këngëtarja Ronela Hajati , e cila shprehu indinjatën ndaj kolegëve të cilët e kishin vlerësuar me 0 pikë, siç  kishin vepruar djemtë e grupit ‘Revolt Klan’.

Hajati ka polemizuar edhe me këngëtarin Robert Alijaj i cili nuk ia doli të shkonte në finale me këngën e tij ‘Ah ku më hodhi Zoti.

Alijaj i revoltuar nga vlerësimi i kolegëve, e kishte quajtur festivalin ‘Mbretëri e Tallavasë’.

“Ne kemi punuar tre vite për këtë këngë dhe vijmë e sfidohemi nga mbretëria e tallavasë. Unë nuk jam artisti i Instagramit. I bëj thirrje artistëve që të lexojnë pak, të bëhen më të mençur sepse kjo muzika tallava po bën një popull tallava dhe po eklipson këtë këngë kapitale, gjithë kjo armatë xhihadistash të tallavasë kanë kontribuar për ta mposhtur këtë muzikë’, ishte shprehur Alijaj.

Ndërsa Ronela Hajati ka thënë se e ka vlerësuar këngën e tij me 0 pikë për shkak se nuk i është dukur këngë.

”Mua nuk mu duk këngë. Ky është mendimi im” – ka thënë ajo.

Në mbrojtje të këngës së Alijajt kanë dalë këngëtaret Aurela Gaçe dhe Rovena Dilo.

Rovena Dilo ishte e mendimit që të votoheshin vetëm artistët e rinj, ndërsa ata të afirmuar të mos garonin për çmimin e parë.

Rozana Radi e ka kundërshtuar duke thënë se gara ka emocionet e veta dhe propozoi që në votim të merreshin parasysh 3 elementë: votimi i artistëve për njëri-tjetrin, votimi i publikut dhe votimi i një jurie specifike. Në fund, pasi mblidhen të gjitha pikët, zgjidhet fituesi.

Ardit Gjebrea nga ana tjetër u duk i hapur ndaj çdo propozimi të ri.

Këto janë çmimet që u ndanë në festivalin e sivjetmë të “Kënga Magjike”

Çmimin e parë Flori Mumajesi, vendi i dytë Aurela Gaçe me Eli Farën dhe Fifi dhe MC Kresha me vendin e tretë.